Pjesëmarrësit e kampit. Foto: OSBE.

OSBE përmbyll kampin rinor për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë të ditur se ka përmbyllur sot kampin pesëditor të të rinjve për restaurimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Pejës, i cili është organizuar me 10 studentë të arkitekturës dhe antropologjisë.

Sipas OSBE-së, synimi i kampit ishte zgjerimi i njohurive dhe vetëdijes së studentëve për vlerat e trashëgimisë kulturore, së bashku me dobitë e saj kulturore, sociale dhe ekonomike.

“Kampi gjithashtu shërbeu për të kuptuar më mirë Planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore, të hartuar bashkërisht nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komuna e Pejës, si vegël për të avancuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore”- thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Përgjatë programit, sipas njoftimit, studentët u fokusuan në dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore brenda Çarshisë së Vjetër, ansambël urban i mbrojtur që pësoi shkatërrim në shkallë të madhe gjatë konfliktit të vitit 1999, e që më vonë u rindërtua për të pasqyruar vlerat unike të trashëgimisë kulturore.

“Studentët gjithashtu mësuan nga ekspertë të trashëgimisë kulturore për kornizën normative dhe institucionale, duke përfshirë standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, me theks në shfrytëzimin e qëndrueshëm të vlerave të trashëgimisë kulturore për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik”- thuhet në njoftimin e OSBE-së

Arlinda Shatri, studente e antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, citohet të ketë thënë se nga ky kamp kuptoi se ka traditë shumë më të madhe rreth Çarshisë së Vjetër të Pejës.

“Ekziston një traditë më e madhe nga sa mendoja, vetë Çarshia e Vjetër ofron një stimulim të shoqërisë kolektive, nuk është vetëm një pjesë për të blerë gjëra, por edhe një vend takimi për njerëzit. Për më tepër, tani jam në gjendje të kuptoj më mirë rastet urgjente, kur asetet kulturore janë në rrezik dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim” – ka thënë ajo, citon njoftimi.

Kampi përfshinte edhe takime me pronarë dyqanesh, përmes të cilëve studentët mblodhën të dhëna që do të mbështesin grupin punues në finalizimin e Planit të Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore për Çarshinë e Vjetër.

OSBE-ja thotë se kampi përfundoi me një vizitë në disa nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Çarshinë e Madhe në Gjakovë, Qendrën Historike të Prizrenit dhe Parkun Arkeologjik të Ulpianës.

“Misioni i OSBE-së është i mandatuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni vazhdimisht mbështet përpjekjet për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë”- thuhet në njoftimin e OSBE-së..

Kampi i të rinjve në Pejë është vazhdimësi e programeve të ngjashme të organizuara gjatë pesë viteve të fundit nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.