Konfliktet e vëllezërve për trashëgimi që u parashkruan në gjykatë

Emisioni “Kallxo Pernime” ka publikuar një hulumtim rreth rasteve të hapura e të mbyllura në prokurori e gjykatë të një familje nga Fushë Kosova.

Prona mbi një hektar dhe një shtëpi tri katëshe në atë pronë, ka hapur shumë raste civlie e penale në organet e rendit e drejtësisë.

Ibrahim Sheqiri, pas vetes ka lënë 9 fëmijë, 5 djem dhe 4 vajza. Pas vdekjes së tij e edhe të bashkëshortes, problemet rreth pronës dhe kateve të shtëpisë filluan të shpërfaqen. Në vitin 2009 njëri nga djemtë e Ibrahimit, Mustafa i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës për ndarjen e trashëgimisë. Gjykata e Prishtinës ende nuk e ka përfunduar këtë çështje dhe lënda edhe në vitin 2024 vazhdon të mbetet e hapur.

Tri vite pasi Mustafë Sheqiri i ishte drejtuar gjykatës që të ndahet trashëgimia, tre vëllezërit e tij, Xhevdeti, Ahmeti dhe Beqiri arrijnë që tërë trashëgiminë e babait të ta qesin mbi emrin e tyre, duke pretenduar se janë vetëm 5 fëmijë dhe dy motrat e tyre që ishin prezente po heqin dorë nga trashëgimia. Trashëgimia ishte kryer në komunë e më pas edhe tek noteri, mirëpo kjo çështje ishte mbajtur fshehur nga fëmijët e tjerë.

Një vit më pas, në vitin 2013 Mustafa pranon një shkresë nga Gjykata e Prishtinës për grumbullimin e dokumentacionit dhe kërkon nga ai dokumentacionin e pronës. Mustafa shkon në Komunën e Fushë Kosovës dhe aty e kupton se nuk është pjesë e trashëgimisë dhe se është larguar nga 3 vëllezërit e tij.

“Gjykata m’i kërkoi disa dokumente dhe unë shkova në komunë dhe aty më treguan se nuk jam pjesë e trashëgimisë dhe se jam larguar nga vëllezërit”- tha Mustafa.

Xhevdet Sheqiri, i kontaktuar nga hulumtuesit e “Kallxo Pernime” nuk ka dashur të komentojë shumë rreth problemeve me vëllezërit duke pretenduar se krejt shkresat e lëndës mund t’i marrin në gjykatë.

“Nuk dua me komentu rreth këtij problemi, por gjithçka çka doni merrni në gjykatë ato janë legale sepse s’kam çka me thanë ma shumë”- theksoi Xhevdet Sheqiri.

Hulumtuesit e emisionit kishin tentuar t’i kontaktojnë edhe dy vëllezërit Ahmet dhe Beqir Sheqiri, në hapësirat e tyre në Kosovë, por edhe në numrat e telefonit që i kanë pasur në shkresat e lëndës, por nuk kanë qenë të qasshëm. Gjithashtu dy vëllezërit kanë pasur fletarrest prej gjykatës dhe kanë qenë të paarritshëm edhe për organet e drejtësisë.

Fletarrestin vëllezërit e kishin për lëndën që e kishin fshehur Mustafën nga trashëgimia.

“Si kam dalë nga komuna kam shku në polici dhe e kam hapur rastin sepse fshehja e trashëgimtareve është vepër penale” – tha Mustafa. 

Rasti ishte hapur në Policinë e Kosovës në vitin 2013. Po atë vit policia kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë e Prishtinës. Prokuroria aktakuzën ku i ngarkonte 3 vëllezërit Sheqiri se e kishin larguar nga trashëgimia vëllain e tyre Mustafën ishte hartuar vetëm në vitin 2017 dhe ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinë.

Gjykata e Prishtinës rastin nuk e kishte trajtuar deri në majin e vitit 2023 kur edhe e kishte mbyllur rastin pasi ishte mbërri parashkrimi. Gjykata e Prishtinës na ka kthyer vetëm një përgjigje të shkurtër, e cila thotë se lënda gjendet në Gjykatën e Apelit, por nuk ka dhanë përgjigje pse rasti ishte parashkruar.

 “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lënda me shkresa të saj gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës”- thuhet në pergjigjen e gjykatës.

Përgjigje se pse aktakuza për 3 vëllezërit ishte përpiluar 4 vite pasi ishte dorëzuar kallëzimi penal nuk ka kthyer as Prokuroria e Prishtinës, ata kanë treguar se aktakuza ishte hartuar ne vitin 2017 nga prokurori Bashkim Zeqa dhe ishte dorëzuar në gjykatë.

“Lëndën prokurori në fjalë e ka pranuar në punë më 20.07.2016, ndërsa më 10.10.2016, i njëjti ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, si dhe pas zhvillimit të hetimeve dhe grumbullimit të provave, më 04.09.2017, ka ngritur aktakuzë për këtë çështje penale.  Për informatën tuaj, prokurori Zeqaj është dekretuar më 09.10.2015, derisa me këtë lëndë është ngarkuar më 20.07.2016. Lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor për këtë rast, ju lutem t’i drejtoheni gjykatës kompetente” –thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Lënda e fshehjes së trashëgimtarit ishte mbyllur, por shumë lëndë të tjera ishin hapur në polici, prokurori e gjykatë.

Mustafë Shaqiri kishte dërguar një video e cila ishte shfaqur gjatë emisionit, ai pretendon se vëllai i tij Xhevdeti e sulmon me makinë në kohën kur ai po qëndronte ulun në oborr.  Pamjet nuk e tregonin qartë sulmin, por çka shihet në to është që makina afrohet shumë afër vendit ku po qëndronin të ulur Mustafa dhe familja e tij.

Pretendimet e Mustafës kemi tentuar t’ ballafaqojmë edhe me Xhevdetin, por ai nuk ka pranuar të flas. Por aktakuza për këtë rast është ende aktive dhe është duke u trajtuar në Gjykatën e Prishtinës. Në aktakuzë prokuroria pretendon se Xhevdeti e ka sulmuar me makinë Mustafën, pas një mosmarrëveshje të mëhershme rreth pronës.

Edhe Mustafa ishte akuzuar se e kishte sulmuar Xhevdetin edhe këtu ishin mbajtur disa seanca gjyqësore dhe me pas aktakuza ishte hudhur poshtë nga gjykata.

Mustafë Sheqiri, njëherë ishte dënuar nga gjykata pasi kishte pretenduar se sistemi është i korruptuar dhe nuk po i kryen rastet e tij.

Gjykata e cila për 6 vite nuk e ka trajtuar një rast të fshehjes nga trashëgimia e ka dënuar të larguarin nga ajo trashëgimi me 250 euro sepse ai i mllefosur nga mbyllja e rastit kishte pretenduar në atë rast se sistemi është i korruptuar.

Sulme, kërcënime, akuza e kundër akuza, arrestime e po ashtu deklarata në polici kanë ndodh mes disa vëllezërve në Fushë Kosovë lidhur me ndarjen e trashëgimisë. Por ajo që është edhe më shqetësuese në këtë rast është se krejt këto raste kanë ndodhur pas kërkesës që trashëgimia të trajtohet dhe çështja ka qenë në gjykatë.

Lënda civile e cila ka nisur qysh në vitin 2009 është duke u trajtuar ende në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila edhe pas 15 viteve ende nuk i ka dhënë një epilog. Ndërsa lënda penale ishte parashkruar në Gjykatën e Prishtinës, e cila në vitin 2023 e kishte mbyllur vetëm pasi ishte arritur parashkrimi.