Arkiv

Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe lufta e viteve 1998-1999, kërkimi për drejtësi

Pas largimit të Perandorisë Osmane dhe me pushtimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1912, trashëgimia kulturore në Kosovë, është shfrytëzuar për përçarje.  Në këtë periudhë, Serbia me të madhe kishte filluar të propagandonte për Kosovën, në mohimin e tërësishëm të pranisë dhe autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre e deri te mohimi dhe shkatërrimi i gjurmëve të vlerave kulturore. Këto politika antishqiptare do të vazhdojnë për një shekull dhe do të prodhojnë edhe konflikte dhe së fundmi edhe në luftën e viteve 1998-1999, kur përfundimisht e vërteta doli në shesh dhe kur bota u bind për t’ua dhënë hakun të dy palëve: shqiptarëve pavarësinë dhe shtetin që u takonte, që u ishte mohuar padrejtësisht, kurse serbëve ndëshkimin me bombardim për ato që kishin bërë mbi Kosovë.

Sidoqoftë, nëpër gjithë këto vite e periudha, trashëgimia kulturore  e Kosovës pësoi shkatërrime. Sa kohë që dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe shtrembërimi i fakteve rreth saj, është një çështje serioze dhe konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe ligjeve të trashëgimisë kulturore.

Kurse vetëm gjatë luftës së vitit 1998-1999, dëmet e shkaktuara ndaj trashëgimisë kulturore janë të konsiderueshme dhe shumë të ndjeshme. Kjo sepse, tipari i jashtëzakonshëm përcaktues i shkatërrimit, ishte mirë i paramenduar dhe i planifikuar nga Qeveria Serbe e asaj kohe. Dhunë dhe shkatërrim, u panë në fshatra dhe qytete gjithandej, gjë që rezultoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ndaj caqeve ushtarake serbe.

Në Kosovë në aspektin ndërkombëtar nuk kemi ndonjë gjykim për fajtorët e rrënimit të trashëgimisë. Ajo që kemi vrenjtur nga ndërkombëtarët, misioni i tyre ka qenë që krimet serbe t’i minimizoj sa më shumë që është e mundur me qëllimin e vetëm për t’i barazuar ato.

Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut), dhe organizata të tjera të ardhura pas lufte, nuk e ngritën zërin për dëmet e shkaktuara nga pala serbe, po ashtu nuk kishte ndonjë interes për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për krimet kundër trashëgimisë kulturore.

Me të drejtë studiuesit e thonë se trashëgimia kulturore në të shumtën e rasteve është ndër viktimat e para të konfliktit dhe luftërave, për shkatërrimin e monumenteve kulturore, sidomos ato sakarale. Këtë e themi sepse edhe në Kosovë ashtu ndodhi. U shkatërruan dhe u dogjën gjithçka që u lidhte me shqiptarët, si: kisha katolike, xhami, mesxhide, tyrbe e teqe, dokumente fetare,  në gjithë vendin pa asnjë mëshirë. Ky shkatërrim ishte pjesë e një modeli të dhunës dhe shtypjes kulturore nga agresori serb. Është për ta theksuar se Qeveria e Serbisë edhe sot pas 24 viteve të mbarimit të luftës në Kosovë dhe 15 vjet Pavarësi, akoma nuk kërkoi falje për dëmet dhe krimet e bëra.

Trashëgimia kulturore është një aspekt thelbësor i identitetit të një shoqërie dhe një komponent kyç i historisë së saj.  Lufta, është një forcë shkatërruese që mund të bëjë kërdi mbi një komb dhe popullin e tij, e këtë tragjedi e ndjeu çdo shqiptar brenda dhe jashtë kufijve në vitin 1998-1999. Objektet e trashëgimisë kulturore u bënë objektiva të shkatërrimit, plaçkitjes dhe vjedhjes.

Shkatërrimi i qëllimshëm i vendeve të trashëgimisë kulturore shërben si mjet për të ushtruar pushtet dhe kontroll mbi popullsinë e shtypur. Një nga shembujt më famëkeq të kësaj tragjedie është shkatërrimi çarshive,  bibliotekave, arkivave dhe shumë objekteve arkitekturore, monumenteve dhe artefakteve, që janë përcjellë brez pas brezi. Kur forcat serbe, i detyruan që t’i largojnë shqiptarët me dhunë nga shtëpitë e tyre në vitin 1998-1999 (koha e eksodit), ata lënë pas artefakte dhe gjëra me vlerë, të ruajtura e të trashëguara gjeneratë pas gjenerate, por këto thesare familjare u plaçkitën pamëshirë nga ushtarë e policë serb.

Humbja e këtyre gjërave ishte një goditje e madhe për popullin shqiptar, sepse ato përfaqësonin një aspekt unik të trashëgimisë.

Studiuesi Mark Krasniqi në punimin e tij “Uzurpimi dhe shkatërrimi i objekteve sakrale në Kosovë”, shkruan se: okupatori serb, dogji e shkatërroi 200 mijë shtëpi, banesa lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika shkolla, ambulanca, biblioteka, objekte fetare etj.

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nuk është humbje vetëm për banorët vendas, por edhe për botën në tërësi, pasi fshin dëshmi të vlefshme të historisë njerëzore dhe diversitetit kulturor. Ekzistojnë një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare që synojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë Konventën e Hagës e themeluar në vitin 1954, me qëllim kishte mbrojtjen e pasurive kulturore në rast konflikti të armatosur. Konventa e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore e themeluar në vitin 1972 dhe Konventa UNIDROIT me seli në Romë të Italisë, e themeluar në vitin 1995, që për qëllim kishte drejtësinë për objektet kulturore të vjedhura ose të eksportuara ilegalisht. Këto konventa dhe shumë të tjera, Qeveria Serb nuk i mori parasysh, ajo në Kosovë veproi në mënyrën më të egër, duke vjedhur e plaçkitur shumë eksponate që nga viti (1912-1999). Fatkeqësisht shumë eksponate të Kosovës, sot ekspozohen në muzetë e ndryshëm të Serbisë.

Në vitin 1999 ne kemi edhe grabitjen e eksponateve etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Kosovës, të cilat i kanë dërguar në Serbi dhe akoma qëndrojnë atje pa asnjë bazë juridike. Çështja e eksponateve për kthimin e tyre ka qenë në marrëveshjen e planit të diplomatit finlandez, z. Martti Ahtisari në vitin 2007, ku në aneksin V, neni 6.1 thuhet: “Republika e Serbisë brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, do t’i kthejë artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999”.  Mirëpo, kjo marrëveshje nuk u realizua as tani në vitin 2023, edhe pse ka pasur përpjekje nga institucionet e Kosovës që këto eksponate të kthehen në shtëpinë e tyre, por kjo ishte e pa arritshme.

Është e rëndësishme të kërkohet llogari ndërkombëtare për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore. Kjo mund të arrihet përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë: përgatitjen e dokumentacionit, sanksionet ndërkombëtare, dëmshpërblimet etj.

Ligji dhe trashëgimia kulturore janë të ndërlidhura dhe kanë një rol vendimtar në mbrojtjen dhe ruajtjen e saj. Ligjet janë krijuar për të siguruar që trashëgimia kulturore të njihet, respektohet dhe ruhet për brezat e ardhshëm.

Ky punim është prezantuar në konferencën shkencore, “Kosova pas 15 vjet pavarësi: sfidat dhe shtetndërtimi” mbajtur më 15 shkurt 2023 në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Valon Shkodra ka mbaruar studimet universitare për etnologji. Punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Etnologjisë, si hulumtues i pavarur shkencor. Ka të botuar disa monografi dhe ka marrë pjesë në konferenca e aktivitete kulturore në Kosovë dhe jashtë saj