Trashëgimia që dërgoi vëllezërit në prokurori e gjykatë

Emisioni “Kallxo Pernime” ka transmetuar hulumtimin i cili ka të bëjë me rastin e  trashëgimisë mes vëllezërve Ibishi nga Peja. 

Rasti i vëllezërve ka të bëjë me problemet edhe jashtë sistemit gjyqësor të viteve para luftës nga mosfunksionimi normal i shtetit. Samir Ibisheviq, njëri nga vëllezërit e familjes Ibishi që jeton në Gjermani po e kërkon trashëgimin nëpërmjet gjykatës, ndërsa familjarët e tjerë në Kosovë po pretendojnë se ai ishte ndarë nga ta në vitin 1992 kur edhe kishte migruar në Gjermani.

Ndarja pa letra dhe pa procedura gjyqësore në vitin 1992, ka shpërfaqur edhe një herë problemet se kujt i takon trashëgimia e familjes. Ndarja atë kohë pa letra po tentohet të legalizohet, por që Gjykata e Pejës ende nuk e ka përmbyllur këtë proces.

Samiri pretendon se në vitin 2012 ishte hequr nga trashëgimia e shtëpive dhe pronave të babait të tij. Por të kundërtën e thonë vëllezërit e tjerë. Ata pretendojnë se Samiri ishte ndarë nga ta në vitin 1992 dhe e kishte marrë një pjesë të kompensimit nga babai i tyre.

“Në vitin 2019 unë kam ardhë në Kosovë dhe e kam kuptuar se nuk jam pjesë e trashëgimisë dhe se jam larguar nga vëllezërit dhe kam hap rast në prokurori dhe ju kam drejtuar gjykatës për ndarje të trashëgimisë”- theksoi Samiri.

Për t’i sqaruar pretendimet e Samirit, hulumtuesit e emisionit kanë kontaktuar me avokatin e familjes Ibishi. Mustafë Radoniqi ai nuk ka pranuar të flas para kamerës por në takim me hulumtuesit kishte thënë se nga ajo që ka parë në shkresat e lëndës, Samiri është ndarë para shumë viteve nga vëllezërit në Kosovë.

“Samiri qenka drejtuar edhe tek mediat për me shkruar për të sepse ai po pretendon dy herë me e marrë hisen e vet sepse një herë e ka marrë tash po do prapë nëpërmjet rrugëve ligjore”- theksoi Radoniqi.

Dy vëllezërit e Samirit nuk kanë pranuar të flasin. Njëri nga vëllezërit, Bashkim Ibishi nuk ka dashur të flasë para kamerës, por në kontaktin me hulumtuesit e emisionit ka treguar se me vëllain e tij Samirin janë ndarë qysh në vitet e 90.

 “Samiri i ka marrë nga ne 50 mijë marka në vitin 1992 dhe jemi marrë vesh që me ia dhanë edhe 50 mijë të tjera kur do që ai do me ndërtu shtëpi në Kosovë. Në vitin 2010 ia kemi dhanë edhe 15 mijë euro të tjera dhe ka dëshmitarë që i ka marrë ato para e gjithashtu 13 mijë euro të tjera i ka tek daja por s’po pranon me i marrë. Nëna gjithashtu ia ka dhanë edhe 5 ari truall dhe ne jemi dakord, por Samiri nuk e di çka po kërkon, që sa herë jemi intervistuar edhe kemi dhanë deklarata për këtë punë e gjithashtu edhe gjykata civile është duke vazhduar që sa vite”- thotë Bahskimi.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë ka treguar se prokuroria pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, por rastin e kallëzimit penal te ngritur nga Samiri e ka hudhur poshtë si të parashkruar.

“Më datën 04.05.2020 prokurori ka nxjerr aktvendim për pushimin e hetimeve në drejtim të veprës penale legalizimi i përmbajtjes së rreme, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale. Kallëzimin penal ishte pranuar me datën 11.11.2019, ndërsa parashkrimi ka ndodhur në vitin 2017 pra para kohës së parashtrimit të kallëzimit”- theksoi Nikçi.

Nikçi gjithashtu ka treguar se Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë jo për të gjithë vëllezërit, por për dy nga ta pasi ata kishin tentuar ta regjistronin pronën në Komunën e Pejës.

“Prokuroria pasi kishte pranuar njoftimin se dy të pandehurit dokumentin e nxjerr përmes veprës penale legalizimi i përmbajtjes së rreme, e kanë përdorur me datën 25.09.2017, ka rihapur rastin dhe me datën 19.10.2022 kundër tyre ka ngritur aktakuzën për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer vepër penale legalizimi i përmbajtjes së rreme”- ka potencuar Nikçi.

Gjykata e Pejës ka konfirmuar për emisionin “Kallxo Pernime” se rasti civil ku janë të përfshirë vëllezërit Ibishi është duke vazhduar në këtë gjykatë.

“Lidhur me kërkesën tuaj për informacione se ku gjendet lënda C.nr.584/17 dhe në cilën faze të gjykimit është, ju njoftojmë se lënda është afër përfundimit. Fillimisht, lënda ka qenë tek gjyqtarja Merita Baloku, e cila ka qenë në përfundim të saj por për shkak të pensionimit të saj,  lënda i është ndarë në punë gjyqtares Ganimete Puka, e cila nga fillimi ka dëgjuar disa dëshmitarët dhe seanca e fundit është mbajtë me datë 23.11.2023, e shtyrë për datë 11.12.2023, e cila seancë nuk është mbajtur për shkak të gjendje shëndetësore  jo të mirë të gjyqtares dhe pushimit mjekësor”- thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Një rast penal ishte mbyllur, e tjetri është duke vazhduar. Edhe rasti civil për ndarjen e trashëgimisë është duke vazhduar ende në Gjykatën e Pejës. Samir Ibishi ka paditur vëllezërit e tij për ndarjen e trashëgimisë, ndërsa vëllezërit pretendojnë se Samiri u nda nga ta qysh në vitin 1992.