Kthimi në Shtëpi pa Unazë Martese

Mirsade Osmani, nënë e një djali dy vjeç e gjysmë që pret të lind edhe një vajzë për më pak se  tri javë, rrëfen për KALLXO.com rrugën e saj drejt Gjermanisë që e mori me burrin dhe djalin në fund të vitit 2014.

Kur ajo, djali dhe burri i saj Rrahmani u nisën për Gjermani, u detyruan ta shisnin edhe motokultivatorin me të cilin punonte Rrahman Osmani, ndërsa Mirsadja shiti gjithë arin që kishte duke përfshirë edhe unazën e martesës për t’i bërë një mijë euro.

Familja e saj ishte pjesë e migrimit masiv të fundit të vitit 2014 dhe fillimit të 2015-ës, kur autobusë të shumtë të stërmbushur me kosovarë morën rrugën drejt vendeve të fuqishme të BE-së duke shpresuar se atje do gjenin një jetë shumë më të mirë.

Disa shitën gjëra të çmuara, e disa edhe mjetet e vetme që i kishin për të jetuar që të shkonin në shtetet e ëndërruara.

Por ëndrra e mbi 60 mijë kosovarëve, që para një viti morën këtë rrugë, çdo ditë e më shumë po shuhet.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës lajmëroi që mbi 17 mijë kosovarë vetëm në vitin 2015 janë riatdhesuar në Kosovë, pasi që kishin migruar ilegalisht, ndërsa shtete e ndryshme të BE-së, çdo ditë e më shumë njoftojnë se leja e qëndrimit nuk do i pranohet asnjë  qytetari të Kosovës.

Mirsade Osmani bashkë me burrin dhe djalin kur ishte kthyer në Kosovë para një muaji kishte jetuar në një shtëpi që më shumë ngjante me një barakë të braktisur, ndërsa nuk kishte as vend për ta futur një koftor për ngrohje.

Tani ajo jeton te familja e burrit në një shtëpi ngjitur me të sajën, në kushte ekonomike të rënda. 11 anëtarë e familjes Osmani nga Graçanica tash jetojnë në një hapësirë prej 35 metrash katrorë.

Mirsades dhe djalit të saj të vogël ekzistencën është duke ua siguruar me punë krahu burri dhe babai Rrahman Osmani. Ai punon për 5 euro në ditë.

Me paratë që fituan në Gjermani sa qëndruan për nëntë muaj, ky çift mundi të ndërtojë vetëm themelin e shtëpisë së re.