Ndalimi i policëve të Kosovës nga Serbia, reagon ambasadori gjerman Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndalimi i qytetarëve dhe policëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm.

Përmes një postimi në X (ish Twitter), Rohde ka theksuar se “de-përshkallëzimi duhet të ndodhë menjëherë”.

Një mesazh, ai e ka dhënë edhe për politikanët serbë të Kosovës.

“De-përshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit, përfshirë serbët, nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe sigurisht jo ajo që mund të pritet nga një vend kandidat për BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe ne presim që edhe politikanët serbë të flasin për bashkëqytetarët e tyre!– ka thënë Rohde.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq, vazhdon të mbahet në burg në Serbi, ndërkohë që katër policët e tjerë të ndaluar në Serbi tashmë janë liruar.

Kështu ka njoftuar ai gjatë mbledhjes së ekzekutivit kosovar.

“Nga informacionet e fundit të gjithë policët tashmë janë liruar përveç drejtorit Jankoviq” – ka deklaruar kryeministri Kurti.

Të mërkurën, më 17.04.2024, në Serbi u ndaluan për shumë orë edhe qytetarë të tjerë të Kosovës të cilët ishin duke udhëtuar me autobusë.

Kurti: Të gjithë policët e ndaluar në Serbi janë liruar, përveç zëvendësdrejtorit Jankoviq