Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Kryeprokurori Lumezi plotësimin e kritereve në fushën e sundimit të ligjit ia atribuon punës së prokurorëve

“Komisioni Evropian, në raportin e vet ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar kriteret në fushën e sundimit të ligjit, e në këtë drejtim rol thelbësor ka luajtur Prokurori i Shtetit”, kështu ka deklaruar të mërkurën kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai këto komente i bëri në mbledhjen e 165-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës – KPK, gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2018.

Kryeprokurori Lumezi gjatë prezantimit të raportit tha se për periudhën janar – dhjetor 2018, prokurorët në nivel vendi kanë zgjidhur 74.031 dosje penale.

“Në periudhën që kemi lënë pas prokurorët e shtetit kanë treguar efikasitet të lartë duke zgjidhur 74.031 dosje penale të natyrave të ndryshme. Ndërsa kanë pranuar në punë 59.788 dosje penale, që do të thotë se janë zgjidhur 12.243 lëndë më shumë se që kemi pranuar”, deklaroi Lumezi.

Sipas tij, Prokuroritë kanë zgjidhur me mijëra dosje penale që kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës, krimeve ekonomike, vrasjeve, trafikimit me qenie njerëzore, dhunës në familje, trafikimit me droga dhe veprave tjera penale.

Lumezi, poashtu deklaroi se janë shënjestruar 11 lëndë të profilit të lartë, ndërsa janë ngritur 9 aktakuza lidhur me këto raste të shënjestruara.

“Gjatë vitit të kaluar rëndësi të posaçme i kemi dhënë edhe mekanizmit ndërinstitucional për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve më të rënda. Kemi shënjestruar 11 lëndë të profilit të lartë që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë dhe kemi ngritur 9 aktakuza. Dua t`ju përkujtoj se edhe delegacioni fakt-mbledhës i Komisionit Evropian, në raportin e vet ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar kriteret në fushën e sundimit të ligjit, e në këtë drejtim rol thelbësor ka luajtur Prokurori i Shtetit”, deklaroi Lumezi.

Më tej në raport thuhet se në vitin 2018 është treguar sukses i mirë edhe në trajtimin e lëndëve të terrorizmit.

Për të cilat sipas raportit janë zgjidhur 15 raste që ndërlidhen me veprat penale të terrorizmit, si dhe sipas informacioneve të Prokurorit të Shtetit, gjatë vitit të kaluar asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkangjitur luftërave të huaja.

Lidhur me veprat penale të korrupsionit, në raport konstatohet se janë zgjidhur 408 raste të korrupsionit dhe 435 dosje penale që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare.

Gjatë ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit sipas kryeprokurorit Lumezi, nuk është përjashtuar, “favorizuar”, asnjë person apo zyrtar i lartë.

“Janë ngritur akte akuzuese kundër deputetëve, ministrave, ish-ministrave, zëvendës–ministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve të luftës, zyrtarëve policor dhe zyrtarëve tjerë shtetëror”, tha kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi.

Sa i përket sekuestrimit të pasurisë së përfituar me vepra penale, raporti vjetor i punës së Prokurorit të Shtetit tregon se janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri që kapin shifrën prej 27 milionë e 867 mijë eurove.

Lidhur me këtë pjesë, kryeprokurori i shtetit deklaroi se konfiskimet përfundimtare janë shumë më të vogla, duke theksuar faktin se prokurorët nuk nxjerrin vendime përfundimtare për konfiskim.

Sipas kryeprokurorit Lumezi, të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor duhet të japin kontribut në këtë drejtim dhe duhet të kuptojnë se çelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë dhe dobësimin e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.

Lidhur me rastet e krimeve të luftës, raporti pasqyron se gjatë vitit të kaluar janë përfunduar 16 raste dhe departamentit të krimeve të luftës i janë shtuar edhe dy prokurorë.

Raporti poashtu thekson se vendimet gjyqësore përkitazi me aktakuzat të cilat janë ushtruar nga Prokuroritë Themelore dhe Prokuroria Speciale e Kosovës në 81% të rasteve kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese, për çka kryeprokurori i shtetit tha se ky fakt tregon për punën profesionale të prokurorëve.

E pavarësisht punës së madhe që është bërë vitin e kaluar, kryeprokurori Lumezi deklaroi se mbeten shumë sfida dhe vështirësi të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit dhe të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Në fund kryeprokurori Aleksandër Lumezi deklaroi se pret që gjatë këtij viti të rritet më tepër komunikimi me mediat dhe shoqërinë civile.

“Ata (Mediat – Shoqëria Civile) duhet të jenë partner e jo kundërshtar i ynë në luftën kundër dukurive negative”, theksoi kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi.