Agim Bahtiri

Komuna e Agim Bahtirit paditet nga Organizata komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës

Komuna e Mitrovicës është përballur me sfida të mëdha në procedurat për ndërtimin e objektit të “Organizatës komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 për Komunën e Mitrovicës, ka gjetur se lidhur për ndërtimin e objektit në fjalë ka pasur paqartësi mes komunës dhe organizatës, dhe rasti më pas ka përfunduar në gjykatë.

Sipas ZKA-së, komuna kishte subvencionuar “Organizatën komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës”, në vlerë prej 145 mijë euro me vendim të Kuvendit Komunal, me qëllim të ndërtimit të një objekti për organizatën.

“Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar për të përcaktuar të drejtat dhe obligimet e palëve. Deri në periudhën e auditimit (prill 2019) procedurat e nevojshme për ndërtimin e objektit, ende nuk kishin filluar, për shkak të kontestit gjyqësor për pronë parcelat ku duhet të ndërtohet objekti”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të komunës dhe fletës poseduese, parcela ku do të ndërtohet objekti është pronë komunale, ndërsa organizata pretendon se parcela është në pronësi të saj dhe për këtë arsye kishte ripërtërirë, padinë ndaj komunës, në janar të vitit 2019.

Auditori më tej bën të ditur, se si rezultat i kontestit gjyqësor, punimet ende nuk kishin filluar, përderisa mjetet financiare janë transferuar nga komuna tek organizata e lartpërmendur.

“Mos qartësimi i pronësisë dhe mos lidhja e një marrëveshje mirëkuptimi paraprake, rritë rrezikun që komuna nuk posedon mekanizma garantues së objekti do të ndërtohet dhe mjetet do të shpenzohen për qëllimet e caktuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka rekomanduar se kryetari i komunës, duhet të ketë në monitorim çështjen në kontest dhe që gjatë vitit 2019, “paraprakisht të nënshkruaj marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në dhe t’i përcaktojë të drejtat dhe obligimet e palëve lidhur me subvencionin e dhënë, në mënyrë që mjetet që janë dhënë të jenë shfrytëzuar për qëllimin e dhënë”.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2018.