ZKA po auditon listat e pritjes në disa klinika të QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme

Listat e pritjeve të pacientëve në institucionet shëndetësore publike janë duke u audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Ky auditim, sipas ZKA-së, do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

Kirurgjia Vaskulare, Ortopedia, Oftalmologjia, Kirurgjia Torakale dhe Radiologjia do të jenë klinikat që do t’i nënshtrohen këtij auditimi.

“Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë” – njofton ZKA.

Ndërsa në spitalet e përgjithshme, ZKA thotë se listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë (CT, eho, mamografia, rëntgeni, etj.) si dhe në repartin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

“Duke ditur vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë, përmes këtij auditimi Zyra Kombëtare e Auditimit ka për synim të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe nëse Klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë efikase në ofrimin e shërbimeve shëndetësore” – thuhet më tej në njoftim.

KALLXO.com ka raportuar për listën e pritjes 1-vjeçare për Logopedi në QKUK dhe për raportimin e bordit të SHSKUK-së që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale për në Komisionin parlamentar për Shëndetësi, lidhur me listat e pritjes.

Raportimet e udhëheqësve të disa klinikave dhe spitaleve në bordin e SHSKUK-së, ku kanë folur edhe për listat e pritjes mund t’i gjeni në këtë LINK.