Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komuna e Mitrovicës ndan 20 mijë euro për të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka njoftuar se do të merr vendim për të ndarë 20 mijë euro për personat që janë lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole të gazit në një shtëpi mbrëmë në fshatin Kçiq të Mitrovicës.
Hamza ka thënë se këto mjete do të ndahen për të ju dalë në ndihmë personave të prekur nga ky shpërthim.
Përmes një postimi në Facebook, ai iu ka uruar edhe njëherë shërim të shpejtë.
“Me qëllimin që të ju dalim në ndihmë familjes Brahimi, të prekur nga shpërthimi natën e kaluar, Komuna e Mitrovicës do të merr vendim për ndarjen e 20,000 eurove. Edhe njëherë, uroj shërim të shpejtë për të lënduarit”- ka shkruar ai.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar mbrëmë se 15 pacientët që kanë pësuar lëndime dhe djegie në shpërthimin në fshatin Kçiq të Mitrovicës, pas trajtimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së.
Sipas njoftimit, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshëm të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.