Pas raportimit të KALLXO.com, Komuna e Mitrovicës Jugore fillon largimin deponisë ilegale në Zhabar të Epërm

KALLXO.com raportoi më datë 05.02.2024 se si zonat e gjelbruara në fshatin Zhabar i Epërm të Mitrovicë Jugore ishin mbuluar me bërllok.

Që nga data 15.12.2023 KALLXO.com kishte pranuar ankesa nga qytetari Valent Ibishi për hudhjen e mbetjeve inerte të materialeve ndërtimore dhe mbeturinave në këtë zonë gjithashtu edhe neglizhimin e komunës për t’i hequr ato.

“Kur i kam pyet komunën kanë thënë që është përgjegjësi e ministrisë, ministria po thotë që është përgjegjësi e komunës, po asnjëra nuk është t`u kry punë. Krejt janë duke ia hedh fajin njëra tjetrës. Jena të vetëdijshëm që ky nuk është krimi i vetëm që i bëhet lumit Ibër. Ata kur e kanë dhënë lejen e rrënimit kanë mujt me e kontrollu inspektorët ku po e gjuajnë ata mbetjen e rrënimit”- ka thënë Ibishi.

Tutje ai thoshte se mbetjet inerte të materialeve ndërtimore po i hedh kompania “Sabit Balinci”, gjë të cilën kompania në fjalë e mohon.

Ndërsa më datë 15.02.2024 Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pylltarisë, Egzon Sadiku ka dërguar fotografi në adresën e KALLXO.com ku ka thënë se ka larguar deponinë ilegale të krijuar afër ish KFOR-it danez në fshatin Zhabar i Epërm.

Largimi i deponisë ilegale në Zhabar të Epërm, Foto: Egzon Sadiku, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit, 15.02.2024

KALLXO.com më datë 16.02.2024 ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka vërejtur se komuna ka nisur ta pastrojë atë zonë.

Verifikimi i heqjes së deponisë ilegale në Zhabar të Epërm nga Komuna e Mitrovicës Juguore. Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com 16.02.2024

Çfarë thonin komunarët për mbeturinat që mbulonin sipërfaqet buzë rrugëve në fshatin Zhabar i Epërm

Drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pylltarisë, Egzon Sadiku, ka thënë për KALLXO.com se gjatë vitit 2023 janë larguar rreth 20 deponi ilegale të krijuara nga persona të papërgjegjshëm.

“Gjatë ditëve në vijim do të fillohet me aksionin e pastrimit pasi që kompania publike vetëm është autorizuar. Sfidues mbetet fakti se komuna gjatë viteve shumë herë e ka pastruar këtë deponi ku kryesisht gjenden materiale inerte ndërtimore të cilat hedhen nga persona të papërgjegjshëm”- ka thënë Sadiku.

Ndërsa Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Valon Brahimi ka thënë se komuna e Mitrovicës Jugore ka mungesë të inspektorëve të mjedisit, teksa hapësira në fjalë thotë se është jashtë zonës urbane. “Edhe pse në mungesë të inspektorëve të Mjedisit, inspektorët e shërbimeve publike kanë kryer vizita inspektuese të vazhdueshme në pronat të cilat menaxhohen nga Komuna e Mitrovicës Jugore, ndërsa në hapësirat ku ju i referoheni të cilat shtrihen jashtë zonës urbane, ne po shqyrtojmë (respektivisht sektori i shërbimeve publike) mundësinë ligjore që ne në bashkëpunim me ministrinë përkatëse të veprojmë në suaza të kompetencave”- ka thënë Brahimi.