VIDEO - Momenti kur një vajzë e vogël bie në pusetën që ishte e hapur në mes të trotuarit në Mitrovicën Jugore

Redaksia e KALLXO.com ka pranuar një video ku shihet një fëmijë duke rënë brenda një pusetë që ishte hapur në mes të trotuarit në qytetin e Mitrovicës së Jugut.

Sipas raportuesit ngjarja ka ndodhur më 30.03.2024.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në vendin e ngjarjes më 03.04. 2024 për të parë nga afër pusetën mbi të cilën pasi ka ndodhur rasti janë vendosur disa kubëza betoni.

Policia e Kosovës në Mitrovicë kanë thënë se nuk ka pranuar raportim lidhur me këtë rast.

Edhe drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Mitrovicën e Jugut ka thënë se gjatë se shtunës nuk është trajtuar ndonjë person rreth këtij rasti.

Ndërsa drejtori i Instrastrukturës Granit Tmava ka thënë për KALLXO.com se presin që të merren masa ndaj operatorit ekonomik.

“Pres nga menaxheri i kontratës të marrë masat disiplinore ndaj operatorit ekonomik i cili nuk ka zbatuar rregullat që duhet për sigurimin e vendpunishtes”- ka thënë ai.

Kontrata për punimet në këtë rrugë kap vlerën mbi 777, 508 euro.