ShFMU "Ismail Qemajli" Model. Foto: Komuna e Mitrovivës/Facebook

Dëmtimet në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Mitrovicë, reagon Komuna

Objekti i shkollës “Ismail Qemali” në Mitrovicë, që u ndërtua para pesë viteve, është bërë jofunksional për shkak të dëmtimeve.

Për këtë arsye, nxënësit e kësaj shkolle mësimin po e zhvillojnë online.

KALLXO.com raportoi sot, më 14.03.2024, lidhur me dëmtimet e kësaj shkolle.

Lidhur me gjendjen e shkollës më 14.03.2024 ka reaguar Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Në njoftimin në Facebook thuhet se drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu, pas shqetësimeve të ngritura nga prindërit dhe mësimdhënësit lidhur me sigurinë e nxënësve si pasojë e plasaritjeve, rrjedhjes së ujit nga kulmi, lagështisë dhe dëmeve të tjera, menjëherë ka takuar drejtoreshën e shkollës dhe këshillin drejtues të shkollës.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi është diskutuar për shqetësimet e ngritura, me ç‘rast u tha se drejtoresha Kadriu ndau shqetësimin me të pranishmit dhe kërkoi nga ta që të ruajnë qetësinë duke i njoftuar edhe me veprimet që do të merren nga niveli komunal.

Ajo ka treguar se inspektorët komunalë me të marrë informatën kanë dalë në terren për të raportuar përkitazi me gjendjen e këtij objekti.

“Pasi inspektorët e ndërtimit komunal e kanë inspektuar shkollën në fjalë është hartuar edhe një procesverbal, mbi bazën e të cilit kryetari i komunës, z. Bedri Hamza menjëherë ka formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike në objektin e shkollës “Ismail Qemali”. Komision ky që do të bëj evidentimin e dëmeve të shkaktuara si dhe vlerën totale të dëmeve” – thuhet në reagimin e Komunës.

Tutje u shtua se me këtë rast, Drejtoria e Arsimit ka njoftuar MASHTI-in për të kërkuar informata shtesë, ngase, sipas Komunës, ky objekt është projektuar, financuar, ndërtuar dhe menaxhuar gjatë ndërtimit nga Ministria e Arsimit.

Komuna shtoi se DKA në Mitrovicë është e përkushtuar që procesi i mësimit të vazhdojë në një mjedis të sigurt për nxënësit dhe stafin e shkollës.