Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Koalicion AKR-LVV në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe sekretari i Lëvizjes “Vetëvendosje” Dardan Molliqaj dolën sot në një konferencë për medie për ta zyrtarizuar koalicionin e qeverisjes së përbashkët në Mitrovicë.

Ata nga objekti i Komunës së Mitrovicës ku u mbajt konferenca, thanë së këto dy parti nuk e mbërrijnë numrin e asamblistëve për të pasur shumicën në Kuvendin e Komunës, mirëpo sipas Bahtirit marrëveshja po lidhet për shkak të idealit për punë sa më të mirë për qytetarët.

“Ideali i përbashkët që kemi me Levizjen ‘Vetëvendosje’ na ka bërë që ta lidhim këtë marrëveshje me lëvizjen ‘Vetëvendosje’ në Mitrovicë dhe ky ideal është që të punojmë së bashku për të mirën e Mitrovicës dhe Kosovës,” tha Bahtiri.

Kurse Molliqaj deklaroi se Levizja “Vetëvendosje” e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit Bahtiri për punë të përbashkët në Mitrovicë.

“Na e kemi vlerësuar dhe e kemi mirëpritur kërkesën e kryetarit Bahtiri për një bashkëpunim më të afërt me qeverisjen në Mitrovicë, për interesin e qytetarëve të Mitrovicës,” theksoi Molliqaj.

Ata nuk treguan se cila është marrëveshja për ndarjen e pushtetit në Mitrovicë pasi që Lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk i ka kryer procedurat e këtij koalicioni.

Ky koalicion ndodh dy ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës në Mitrovicë vendosi të dalë nga qeverisja që kishin me kryetarin Bahtiri.

http://kallxo.com/prishet-koalicioni-akr-ldk-ne-mitrovice/

AKR-ja e “Vetëvendosja” në Mitrovicë kanë së bashku vetëm 7 asamblistë nga 35 sa i ka kuvendi komunal i këtij qyteti.

Këto dy subjekte që sot nënshkruan marrëveshje koalicioni, kanë mbështetjen edhe të dy asamblistëve të AAK-së, dy asamblistëve të pavarur dhe nga një asamblisti të Partisë së Drejtësisë dhe Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

Por e tërë kjo mund të mos u mjaftojë për qeverisje komode, pasi të gjitha këto subjekte dhe të pavarurit mbërrijnë numrin e 13 asamblistëve, ndërsa vetëm Partia Demokratike e  Kosovës në Asamblenë e Mitrovicës ka 14 asamblistë, e LDK-ja që prishi koalicionin me Bahtirin 8 të tillë.