KFOR-i turk ka ndihmuar me pajisje shkollore Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë

Në kuadër të Projektit për Bashkëpunim Ushtarak-Civil, kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) ka ndihmuar me pajisje shkollën e mesme Gjimnazin “Frang Bardhi”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga komuna e Mitrovicës

Në këtë organizim ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Iset Beka, komandanti i KFOR-it turk, kolonel i njësisë më të lart të trajnimit Omer Varol, komandanti i njësisë së bashkëpunimit civilë ushtarak, kapiten Huseyin Ayvaci , drejtori i Gjimnazit Frang Bardhi”, Ismet Ferizi, si dhe mësimdhënës dhe nxënës të kësaj shkolle.

Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Ferizi, ka falënderuar për pajisjet e dhuruara nga KFOR-i turk, duke bërë të ditur se përmes këtij projekti ata kanë fituar 100 banka dhe karrige, 15 tabela të bardha dhe 15 tavolina dhe karrige për mësimdhënës.

Nënkoloneli Omer Varol, tha se shpresojmë që këto pajisje shkollore do të shkojnë në dobi të nxënësve të kësaj shkolle, ai më tutje u dëshiroj suksese nxënësve dhe informoi të pranishmit se vlera e këtij projekti arrin shumën rreth 11 mijë euro.

Në fjalën e tij Mujka, tha se duke marrë parasysh faktin që edhe pse ndërrohen ushtarakët dhe komandantët e KFOR-it misioni juaj çdoherë është i njëjti në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë gjegjësisht në Mitrovicë.

“Së bashku kemi përuruar projekte të shumta si ato në shkollën fillore ”Anton Zako Çajupi” me laboratorë dhe me pajisjet në klasë, po ashtu edhe në shkollën Ekonomike “Hasan Prishtina”, e sot këtu në shkollën e mesme Gjimnazi ”Frang Bardhi”. Kjo po na bën që të gjithë të ndihemi krenar, andaj në emër të Komunës së Mitrovicës unë ju falënderoj edhe njëherë për ndihmën e vazhdueshme që po jepni në të mirë të nxënësve tanë dhe shpresojmë që ky bashkëpunim nuk do të ndalet asnjëherë”, tha Mujka.

Me këtë rast Drejtoria e Arsimit, u dhuroi një mirënjohje KFOR-it turk, në shenjë falënderimi për kontributin që ka dhënë deri më tani për shkollat në Mitrovicë.