EULEX: Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in po e monitorojmë situatën e sigurisë në veri

Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka bërë të ditur se janë duke bërë monitorimin e situatës së përgjithshme në katër komunat veriore të Kosovës, ku po votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Pietro Barbano tha se këto veprime i kanë ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Minisionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në koordinim me PK-në dhe KFOR-in, #EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në 4 komunat ku po zhvillohet votimi për tërheqjen e kryetarëve”- ka shkruar ai në X.

Sipas të dhënave që KQZ ka pranuar deri në orën 11:00 nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat në veri, rezulton se në Leposaviq kanë votuar deri tani 46 votues, në Zubin Potok 7 dhe në Mitrovicë e Veriut 32 votues.

Ndryshe nga komunat tjera, në pjesën e parë të ditës, saktësisht deri orën 11:00, asnjë person nuk ka votuar në Zveçan.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga katër komunat veriore, ka raportuar për praninë e KFOR-it në ato zona.