Nga takimi i sotëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin britanik, Ruairi O'Connell

Kadri Veseli me Ambasadorët Për Zgjedhjen e Presidentit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritë e përcjellë sot në zyrën e tij tre ambasadorë të akredituar në Kosovë për të folur për situatën politike në vend.

I pari që ka biseduar me Veselin ka qenë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili nuk ka ka folur për gazetarët pas takimit.

Më vonë, Veseli është takuar edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell dhe me atë të Mbretërisë së Norvegjisë, Jan Braathu.

Që të dy e kanë pranuar se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës ka qenë temë e bisedave gjatë takimit ndërsa u shprehën të rezervuar pë rtë folur në detaje rreth procesit dhe pritshmërive.

Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë Presidentin e ri të vendit deri më 8 mars të këtij viti, meqë mandati pesëvjeçar i Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, skadon më 7 prill.

“Kemi biseduar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, kemi thënë që për çështjen e zgjedhjeve në Kosovë, jo vetëm atë për Presidentin, janë në pyetje kosovarët”, tha ambasadori O’Connell.

“Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe liderët e Kosovës do të zgjedhen sipas ligjeve dhe votuesve të Kosovës. Për ne është shumë e rëndësishme në çdo aspekt të jetës së Kosovës që ligji dhe Kushtetuta të respektohet deri në fund”, u shpreh ai.

Duke folur për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme në vend, ambasadori britanik tha se atë e sheh si çështje politike të Kosovës e cila “duhet të trajtohet, vlerësohet dhe zgjidhet prej kosovarëve”.

Nga takimi i sotëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin amerikan, Greg Delawie.
Nga takimi i sotëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin amerikan, Greg Delawie.

Ndërsa ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu tha të ketë garanci nga Veseli që procesi i zgjedhjes së Presidentit do të jetë transparent.

Por ai nuk pranoi të komentojë rreth procesit.

“Ne jemi të kujdesshëm në dhënien e këshillave në raport me vendet tjera, por kjo nuk nënkupton që ne nuk e kemi pikëpamjen tonë”, tha Braathu pas takimit me Veselin.

“Kosovës i nevojitet të ketë president, por kjo duhet të bëhet duke u koordinuar me institucionet dhe institucionet të bazohen në ligj. Shpresojmë që të gjitha partitë pozitë e opozitë e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me njëri tjetrin në formë dialogu a bashkëbisedimi”, u shpreh Braathu.

Duke bërë thirrje për respektim të Kushtetutës, Braathu ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e opozitës për të imponuar zgjedhje.

“Nëse zgjedhjet janë proces kushtetues është një gjë, por në cilin vend në Evropë keni opozitë pakicë që përcakton zgjedhje. Kjo nuk është e zakonshme. 33 deputetë, kanë 25% të votave, ne i respektojmë këto vota, këta votues dhe të gjitha partitë, nuk jemi kundër askujt por po themi ju lutem respektoni rregullat e lojës”, u shpreh ambasadori norvegjez.

Nga takimi i sotëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin norvegjez, Jan Braathu.
Nga takimi i sotëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin norvegjez, Jan Braathu.