Ish-Gjenerali Serb Vuan nga Demenca

Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar seancë rreth rastit të dënimit të ish-gjeneralit serb, Millovan Bojoviq, të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Podujevë, më 8 prill e ka dënuar me një muaj burgim, nën akuzën për kalim ilegal të kufirit.

Mbrojtja e të akuzuarit është ankuar me pretendimin se ai nuk ka qenë i vetëdijshëm në momentin e kryerjes së veprës penale.

Për këtë arsye, eksperti Fahri Drevinja është ftuar për t’u përgjigjur nëse Bojoviq ishte i vetëdijshëm për kryerjen e veprës penale, pra nëse ishte penalisht i përgjegjshëm.

Duke i lexuar raportet mjekësore që avokati i të akuzuarit i ka dorëzuar për të mbështetur pretendimet e tij, eksperti Drevinja ka thënë se në to konstatohet se Millovan Bojoviq nuk është i aftë të jetë i vetëm dhe porositen familjarët që të jenë afër tij dhe të kujdesen për të.

Eksperti ka lexuar raportet nga klinika beogradase “Lazar Lazareviq”, të nënshkruara nga doktoresha Liljana Simiq, psikiatre, në të cilat Bojoviqi përshkruhet në gjendje psikike mjaft të rëndë dhe ku diagnoza quhet “Demencë“, që sipas tij nënkupton dëmtim të funksioneve njohëse, si inteligjenca, gjykimi dhe vëmendja, përqendrimi në të folur, e shumë e shumë funksione të tjera psikike.

Sipas ekspertit Drevinja, më të rëndësishme nga këto funksione janë vetëdija, të menduarit, gjykimi dhe zgjedhja ose pjesa e vullnetit se çka do të bëjë. “Dhe në të gjitha këto raporte pasqyrohet se përpos vetëdijes, funksionet e tjera i ka pasur në një shkallë të rëndë të dëmtimit”, tha më tej ai.

Më tej, eksperti tha se në dy raporte thuhet se ai është gjetur në pjesë të qytetit dhe është dërguar në klinikë si person N.N..

“Si pasojë e dëmtimit të funksioneve mendore doktoresha Simiq në raportin e datës 6 qershor 2015 i ka porositur familjarët që t’ia vënë në dorën e tij një objekt ku shkruan emri dhe mbiemri i tij”, tha Fahri Drevinja.

Raporti më i fundit, tha eksperti, i 24 shkurtit 2016, përshkruhet se demenca ka origjinë vaskulare d.m.th. ka ardhur nga komprementimi i sistemit kardiovaskular.

Fahri Drevinja tha se i ka bërë një ekzaminim Bojoviqit edhe vetë dhe se ai nuk e dinte qëllimin e vizitës së tij tek ekzaminuesi, kishte probleme me orientimin, ishte në një disponim subdepresiv, me një raport afektiv sipërfaqësor, nuk dinte se a i kishte përdorur herën e fundit barnat apo jo, nuk dinte orientimin në kohë, diçka më shumë dinte për gjendjen e fundit të gruas së tij dhe nuk e dinte qëllimin e ardhjes së tij.

“Në një pyetje timen pasi që për mua ishte pacient, unë i thash gjeneral a ka për ty kufi dhe ai nuk m’u përgjigj dhe ishte mjaft indiferent. Nga kjo indiferencë dhe gjetjet tjera konstatova se fjala është për një deteriorim të rëndë të personalitetit të tij, me një dëmtim të rëndë të funksioneve kognitive”, tha eksperti, duke konkluduar se i akuzuari mund të marrë pjesë në shqyrtim gjyqësor, por deponimet e tij janë me mjaft defekte dhe huqje.

“Dhe konstatimi im është se llogaritshmëria për veprimet e tij ka qenë esencialisht e zvogëluar”, tha ai.

Pasi u tërhoq për konsultim, kolegji gjykues i Apelit, i kryesuar nga Hashim Qollaku, tha se pasi dëgjuan ekspertin, kolegji merr aktvendim që mund të vazhdohet me gjykimin e kësaj çështjeje dhe mund t’i bëhen pyetje ekspertit si nga prokurorja ashtu edhe avokati mbrojtës.

Me këtë rast, prokurorja e pyeti ekspertin se si ka qene gjendja e të akuzuarit në momentin e kryerjes së veprës penale.

Eksperti Drevinja u përgjigj se gjendja e Bojoviqit nuk ka qenë më e mirë se ajo që u tha në raport dhe se ka pasur dëmtime të rënda të funksioneve kognitive (njohëse).

Avokati i Bojoviqit tha më pas se klienti i tij nuk është i përgjegjshëm për veprën penale sepse s’ka pasur llogaridhënie.

Më tej, avokati tha se klienti i tij ka pasur letërnjoftim të Kosovës dhe ka hyrë në Kosovë, por herën e parë është kthyer nga Policia e Kosovës, porse Bojoviqi është kthyer përsëri pasi ai ka tokë në Peran të Podujevës dhe se ka pasur dëshirë ta shoh tokën e tij.

Në këtë rast nuk ka pasoja të dëmshme dhe dëshmia e ekspertit sot e dëshmon se ai nuk kishte llogaridhënie në momentin e kryerjes së veprës penale.

Seanca ka përfunduar dhe Gjykata e Apelit do ta japë vendimin përmes njoftimit.