Ilir Deda-deputetëve:  Jeni t`u e luajt lojën kush-kujt po ia lëshon

Deputeti Ilir Deda nga Alternativa ka insistuar që Kuvendi i Kosovës, duhet që sot ta votojë rezolutën për dialogun me Serbinë e në të cilën është vetëm një pikë.

“Jeni tu e luajt lojën me ia lëshu njëri-tjetrit. Kjo është marre për këtë Kuvend. Pajtohemi që asnjë bartës institucional nuk mund të flas për territor të Kosovës. Pajtohemi që te kemi konsensus për dialog. Këtu përfundon pajtimi ynë”, tha Deda.

Deputeti kërkoi nga deputetët që të mos bëhen si “telenovelë e lirë”.

“Rezoluta duhet që patjetër të aprovohet sot. Kemi me marr në qaf këtë vend kur të mundohemi me ia lëshu njëri-tjetrit. Para nesh është një stuhi politike, që me rezultate të saj ne do të jetojmë”.

Deda tha se PDK-ja nuk duhet ta kushtëzojë për proces.

“Më në fund u mblodhëm dhe lus PDK-në që të mos e kushtëzojë aprovimin e kësaj rezolute Të jemi racionalë, të mos kushtëzohet procesi dhe të dalim faqebardhë në fund të ditës, para popullit”, tha Deda.

Pas fjalës së tij, reagoi edhe Memli Krasniqi i PDK-së.

Ai kërkoi që në seancën e sotëm të mos ketë qasje kushtëzuese.

“Kushtëzimi është recetë për mos me kryer punë.  Ju kisha lutë të mos kemi qasje kushtëzuese, se po i bie që situata është thirrur për politika ditore dhe jo për të dalë nga bllokada”, tha Krasniqi.