Gjakovë - Seanca ndaj të akuzuarit për tentim vrasje dështoi sërish

Seanca ndaj të akuzuarit Mentor Gola, i cili dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci, nën ndikim të alkoolit duke sharë dhe shkrepur armën, ka dështuar të mbahet.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit avokatit Ndrec Dodaj, bëri shtyrjen e seancës për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Sot ishte paraparë që të mbahej shqyrtimi gjyqësor, mirëpo avokati Dodaj gjendej në Prizren, gjë që bëri shtyrjen e seancës deri me datën 5 Qershor.

Në gjykatore ishin të pranishëm vetëm i dëmtuari me avokatin e tij Florent Latifaj.

Latifaj tha se këto mungesa të palëve janë të qëllimshme.

Edhe seanca e kaluar kishte dështuar për shkak se avokati i të akuzuarit Ndrec Dodaj gjendej jashtë shtetit.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Në muajin Nëntor, mbrojtja e të akuzuarit e kishte kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke thënë se aktakuza duhet të përmbajë veprën e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e jo për tentim vrasje.

Në seancën fillestare, i akuzuari Mentor Gola e kishte pranuar fajin për posedim të armës pa leje, por jo për akuzën e vrasjes në tentativë.

“Unë nuk kam shkuar me qëllimin që ta privoj nga jeta askënd”, kishte thënë ai.