Dorëheqje e ‘Largime të Përkohshme’ për Mjekët e ‘Stentave’

Drejtori i Spitalit rajonal të Gjilanit Besim Gruda si njëri nga personat e akuzuar në rastin “Stenta” ka dhënë dorëheqje ndërsa dy kolegët e tij që nuk e kanë marrë këtë hap vullnetarisht, kanë marrë masën e ‘largimit të përkohshëm’ nga pozitat menaxheriale.

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka diskutuar sot me orë të tëra për mjekët të cilët gjenden nën akuzë në rastin e njohur si “Stentat”.

Në letrën e dorëheqjes të siguruar nga KALLXO.com, mjeku nga Gjilani, Besim Guda, thotë se ndjehet i pafajshëm për rastin në fjalë por që “ndjehet me faj” që i ka lejuar vetes të jetojë në një vend si e quan ai “moçalik” si Kosova.

Guda konsideron se ai dhe mjekët e tjerë janë viktima, ndërsa Shemsi Veseli, zëvendës kryesues i bordit të SHSKUK-së tha se bordi u ka dhënë edhe një shansë doktorëve menaxherë që nuk i kanë paraqitur dorëheqjet e tyre sot.

“Bordi definitivisht ka marrë vendim që të obligohet drejtori i përgjithshëm Curr Gjocaj që në bazë të kompetencave ligjore t’i marrë masat e duhura në raport me pozitat menaxheriale”, tha Veseli.

Nga ana tjetër, Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës Skender Dreshaj e ka njoftuar Gjocajn se edhe Sali Shala, shef i Njësisë Koronare në këtë spital, ka kërkuar të lirohet nga përgjegjësia deri në zbardhjen e këtij rasti.

Njëjtë kanë bërë edhe Shemsedin Shabollari dhe doktor Halim Halimi nga Spitali i Prizrenit.

I kontaktuar nga KALLXO.com Besim Guda thotë se qëndron prapa këtyre fjalëve.

“Nëntë muaj kam qenë drejtor, nëntë ditë të hajrit s’i kam pa”, tha Guda.

Ai tha se nuk po kuptohet pozita e mjekut duke insituar në pafajësinë e tij në rastin “Stenta”.

“Pas 9 muajve sot që kam dhënë dorëheqje për herë të parë i kam mbush mushkëritë me ajër, ka qenë gabimi im më i madh që jam bërë drejtor” tha Guda.

Bordi kishte pritur deri në orën 15 dorëheqjen edhe të Gani Bajraktarit, drejtor i Klinikës së kardiologjisë në QKUK, dhe Mirëdi Stranës, drejtor i Spitalit në Mitrovicë.

Meqë këta dy nuk kanë ofruar dorëheqje, bordi ka vendosur masën e largimit të përkohshëm të tyre nga pozitat menaxheriale.