Gjykata merr vendim për 36 mjekët që akuzoheshin për mito e keqpërdorim të detyrës

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka marrë vendim me të cilin i ka liruar nga akuza 36 mantelbardhët të cilët akuzohen se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në Spitalet Private.

Ata po akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, e atë të mjekëve kardiologë në institucione publike, për çdo pacient që referohej për vendosje të “Stetnave” dhe procedurave të tjera mjekësore brenda gamës së kardiologjisë në spitalet Private, merrnin para në formë të mitos.

Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, janë liruar nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, pasi që nuk është provuar kryerja e veprës penale.

Ndersa Gani Bajraktari,, Nehat Rexhepi, Agim Krasniqi, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Hamza Selmani, Halim Halili, Banush Gashi, Agron Leka, Agron Besimi, Hajdin Qitaku, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Besim Guda, Bajram Preteni, Faik Shatri, Ismajl Avdimehaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmani, Sali Shala dhe Luan Pazhari, te akuzuar për pikën e dytë të aktakuzës u liruan nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti.

Vendimi i Gjykatës u duartrokit nga të akuzuarit dhe publiku i pranishëm në Gjykatore.

Pas më shumë se 7 vite gjykim, dëgjim të dëshmitarëve, dështim e mbajtje të një numri të konsideruar të seancave gjyqësorë, gjykata në përbërje prej Suzana Qerkini- kryetare e trupit gjykues, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala- anëtarë, në mungesë të provave, mori aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Aktakuza për këtë rast është ngritur mbi 7 vite më parë, saktësisht në vitin 2016 ndërsa që atëherë rasti është ndarë në tri pjesë.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë: Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra, por i njëjti ka vdekur dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Pjesë e këtij grupi të të akuzuarve ishte edhe Daut Gorani. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, palët në procedurë janë pajtuar që ndaj tij të veçohet procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.