Ferid Agani në Gjykatën e Apelit për rastin "Stenta" (12.06.2023) - FOTO: Laurant Berisha

'Stenta', Agani e Shabani para Gjykatës së Apelit

Ish ministri i shëndetësisë Ferid Agani së bashku me ish-sekretarin e kësaj ministrie Gani Shabani kanë kanë dalur sot para gjykatës së Apelit në lidhje me rastin “Stenta”.

Agani e Shabani në gusht të vitit 2022 ishin liruar nga akuza nga Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave, gjashtë vjet pasi ishin akuzuar për korrupsion.

Seanca në gjykatën e Apeli u mbajt për t`u shqyrtuar ankesa e Prokurorisë së shkallës së parë lidhur me vendimin lirues të Themelores, vendim i cili është apeluar mbi të gjitha bazat ankimore.

Prokuroria e Apelit me përgjigje në ankesë ka propozuar nga gjykata që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar ndërsa ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe lënda të kthehet në shkallë të parë për rigjykim dhe rivendosje.

Në anën tjetër përgjigje në ankesë kishin paraqitur mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast, Adem Vokshi për Ferid Aganin dhe Skender Musa për Gani Shabanin.

Vokshi tha se akuzat se vepra penale është kryer në bashkëkryerje ishte vetëm një dyshim i cili nuk ka mbështetje në asnjë provë relevante dhe se sipas ekspertizës financiare është vërtetuar se asnjë para nuk është shpërdorur me veprimet e të akuzuarve.

“Me këtë rast pohimi i prokurorisë speciale se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ishte vetëm një dyshim i cili nuk ka mbështetje në asnjë provë relevante apo të besueshme të administruar nga ana e gjykatës së shkallës së parë në rigjykim sepse në këtë drejtim janë bërë ekspertiza, dy ekspertiza… që kanë vërtetuar se nuk ka asnjë shkelje procedurale as ligjore nga të akuzuarit me rastin e aplikimit të shpërndarjes së mjeteve të subvencioneve  dhe ekspertiza tjetër financiare që ka vërtetuar se asnjë dinar nuk është shpërdorë me veprimet e të akuzuarit”- tha Vokshi.

Vokshi në vazhdim e quajti absurde ankesën e prokurorisë pasi që Agani akuzohej për një periudhë kohore e cila nuk i përkiste kohës kur Agani ka qenë ministër i Shëndetësisë.

Vokshi tha se Agani akuzohej për një periudhë kohore prej 13 muaj, për të cilën periudhë ai nuk ushtronte funksionin e ministrit.

“Se sa është absurde ankesa e prokurorisë tregon edhe fakti se e njëjta përfshin periudhë e cila nuk i përket me kohën kur Ferid Agani ka qenë ministër i Shëndetësie sepse përfshinë periudhën deri në fund të vitin 2015 ndërsa Ferid Agani ka qenë ministër deri në me 09.12.2014 d.m.th. 13 muaj më shumë akuzohet për kohën kur nuk ka qene ministër në këtë kohë” – tha Tutje Vokshi.

Në fund mbrojtësi i Aganit kërkoi nga gjykata që të vërtetoj aktgjykimin lirues të shkallës së parë e ta refuzojë ankesën e prokurorisë.

Kurse mbrojtësi i Gani Shabanit, Skender Musa tha se prokurori ka dështuar të ngris aktakuzë të bazuar në fakte gjë për të cilën nuk e ka respektuar kodin e procedurës penale e as kodin penal.

“Është një fakt i pamohuar se prokuroria e shtetit në këtë rast ka dështuar që të ngris aktakuzë të argumentuar në prova materiale duke mos e respektuar as kodin e procedurës penale e as kodin penal lidhur me veprat penale që iu ka mvesh këtyre dy personave, në mënyrë të veçantë të mbrojturit tim Gani Shabani” – tha mbrojtësi Musa.

I njëjti kërkoi nga gjykata që të refuzohet ankesa e prokurorisë dhe kërkoi që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

“Propozojmë që ta refuzoni ankesën e prokurorisë dhe ta vërtetoni aktgjykimin e shkallës së parë pasi që i njëjti e ka përfshi të gjithë lëndën, nuk ka shkelje esenciale, nuk ka shkelje të ligjit penal dhe ka vërtetuar drejtë dhe në mënyrë objektive…” – tha Musa.

Agani e Shabani akuzohen se kishin vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendonte se Agani dhe Shabani me veprimet e tyre e kishin dëmtuar buxhetin e vendit mbi katër milionë euro pasi i kishin mundësuar përfitim financiar dy spitaleve private “IMH” dhe “EDA”.

Mirëpo dëmi i pretenduar nga PSRK ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare nga prokurorja Florije Shamolli nga 4.5 milion në 11 mijë euro. Kjo pasi ishte ndryshuar diapozitivi i aktakuzës dhe ishte larguar pretendimi se të akuzuarit nuk kishin vepruar në përputhje me ligjin për prokurimin publik.

Në lidhje me akuzat për keqpërdorim  Ferid Agani ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim ndërsa ish sekretari Gani Shabni me 2 vite burgim pasi në vitin 2019 ishin shpallur fajtorë.

Mirëpo me vendimin e Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit pasi për shkelje procedurale e kishte rikthyer rastin në rivendosje.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e ngjashme të KALLXO.com – LINK