Ferid Agani | Foto: Facebook

Pas gjashtë vitesh lirohen nga akuza për rastin 'Stenta' ish-ministri dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie Gani Shabani janë liruar në mungesë të provave, gjashtë vjet pasi ishin akuzuar për korrupsion.

Ata akuzoheshin se e kishin vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendonte se Agani dhe Shabani me veprimet e tyre e kishin dëmtuar buxhetin e vendit mbi katër milionë euro pasi i kishin mundësuar përfitim financiar dy spitaleve private “IMH” dhe “EDA”.

Mirëpo dëmi i pretenduar nga PSRK ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare nga prokurorja Florije Shamolli nga 4.5 milion në 11 mijë euro. Kjo pasi ishte ndryshuar diapozitivi i aktakuzës dhe ishte larguar pretendimi se të akuzuarit nuk kishin vepruar në përputhje me ligjin për prokurimin publik.

Në lidhje me akuzat për keqpërdorim  Ferid Agani ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim ndërsa ish sekretari Gani Shabni me 2 vite burgim pasi në vitin 2019 ishin shpallur fajtorë.

Mirëpo me vendimin e Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit pasi për shkelje procedurale e kishte rikthyer rastin në rivendosje.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.