Leposhtica: Rasti ‘Stenta’ dëshmon që sistemi i drejtësisë ka nevojë për ‘stentim’
Rasti “Stenta” ishte njëri nga aktakuzat më të mëdha, të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në vitin 2016 ishte ngritur aktakuzë kundër mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.
Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’, mbi 40 mjekë të spitaleve publike u gjykuan në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.
Në “Kallxo Përnime”, u transmetua hulumtimi i BIRN-it ku ka monitoruar 10 lëndët më të mëdha të korrupsionit për të nxjerrë në fund konstatimin se në këto lëndë gjatë viti 2023 asnjë person nuk është dënuar dhe nuk ka shkuar në burg.
Zyrtari ligjor i KALLXO.com, Labinot Leposhtica, tha se rasti ‘Stenta’, është dështimi më i madh i të gjitha hallkave të shtetit.
“Ky rast evidenton nevojën që vet sistemi i drejtësisë ka nevojë për stentim, pra për zhbllokim. Ky rast ku shumica e të akuzuarve kanë qenë doktorë, konsideroj se dëshmon dështimin e të gjitha hallkave të shtetit, që nga faza e hetimit deri te gjykimi final. Ky rast ka nisur mbrapsht dhe në mënyrë të kontestueshme sepse aktakuza është ngritur nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, siç e dimë kjo zyre nuk e ka këtë mandat” – ka thënë Leposhtica.
Ai ka shtuar se aktakuza në këtë rast është përcjellë nga 4 prokurorë, të cilët janë ndërruar.
“Në këtë rast janë ndërruar disa trupe gjykuese. Të tri rastet, ‘Stenta 1’, ‘Stenta 2’, ‘Stenta 3’, aktgjykimi është lirues dhe nëse kjo tentohet të parashtrohet si zgjidhje e rastit, pra se nuk kemi dështim, atëherë çka t’iu themi atyre që kanë qenë të akuzuar në këtë rast, u është dëmtuar reputacioni, disa prej tyre në fillim kanë qenë të ndaluar, të arrestuar e të paraburgosur. Pra në secilin segment në këtë rast, evidentohet ngecje e dështim, çka e konsideroj që në fjalën përfundimtare, që prokurorja e ka përfaqësuar organin e akuzës ka bërë rikualifikimin e dispozitivit të aktakuzës, ndër të tjera e ka ricilësuar dëmin nga mbi 4 milionë sa vlerësohej dëmi sipas Prokurorisë, dëmi është ulur në rreth 11 mijë euro, çka konsideroj që pasqyron një jo seriozitet në trajtimin e një prej rasteve më të mëdha të korrupsionit”, – tha Leposhtica.
BIRN-it ka monitoruar 10 lëndët më të mëdha të korrupsionit për të nxjerrë në fund konstatimin se në këto lëndë gjatë viti 2023 asnjë person nuk është dënuar dhe nuk ka shkuar në burg.
Në fund të shtatorit 2023, Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka marrë vendim me të cilin i ka liruar nga akuza 36 mantelbardhët të cilët akuzohen se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në Spitalet Private.
Gjykata merr vendim për 36 mjekët që akuzoheshin për mito e keqpërdorim të detyrës