Rrëfimi i mjekëve kosovarë pas vaksinimit në Shqipëri

Të shtunën, disa mjekë nga Kosova udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID-19.

Vaksina “AstraZeneca” po ofrohet falas për personelin mjekësor kosovar nga shteti shqiptar ndërsa katër mjekë nga Kosova kanë rrëfyer përvojat pas marrjes së dozës së parë të kësaj vaksine.

“Procesi ka shkuar shumë lehtë, ishte një organizim i jashtëzakonshëm duke filluar nga Sindikata e Shëndetësisë këtu në Kosovë në bashkëpunim me ambasadën tonë në Tiranë dhe ambasadën e Shqipërisë këtu në Kosovë, e kanë bërë të mundur tërë këtë organizim. Sa i përket mikpritjes, Kukësi është i njohur për mikpritje edhe në këtë rast kolegët tanë, profesionistët shëndetësorë kanë pasur një organizim shumë të mirë dhe mund të them që brenda një ore rreth 200 mjekë sa kemi qenë ne e kemi kryer vaksinimin”, tha Flora Miftari-Basholli, doktoreshë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ajo ka thënë se kanë disa formularë ku ne i kemi plotësuar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

“Fatmirësisht, asnjëri prej nesh nuk ka pasur ndonjë reaksion pas marrjes së vaksinës të menjëhershëm”, ka thënë ajo.

Pas kësaj doze, pra dozës së parë, mjekët kosovarë kanë marrë udhëzimet që pas tetë deri në dymbëdhjetë javë duhet të shkojnë të marrin dozën e dytë të vaksinës.

“Sipas udhëzimit që na është dhënë, pritet që ne të vaksinohemi në të njëjtin shtab me të njëjtën vaksinë për këtë na kanë dhënë edhe kartën e vaksinimit për secilin prej nesh”, deklaroi doktoresha Miftari- Basholli.

Përvojën e tij pas marrjes së vaksinës e ka ndarë edhe ish-drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj.

“Ishte një procedurë shumë e thjeshtë. Të them të drejtën përtej paragjykimeve, unë jam shumë i lumtur por edhe për krejt stafin që arritëm të marrim vaksinën sepse ishim në vijën e parë të frontit. Në këtë kontekst, rreziku i stafit mjekësor është i vazhdueshëm, mezi e kemi pritë këtë informacion për t’u vaksinuar, ka qenë shumë e mirëseardhur për ne”, ka thënë Gjocaj.

Në repartin e gjinekologjisë sipas Gjocajt rreth 60 mjekë dhe personal janë vaksinuar të shtunën në Kukës.

“Ka qenë pak befasi për mua, nuk e kam pritë. Tash e një vit që po punojmë në pandemi e kam pritë që të vaksinohem, ka qenë e mirëseardhur shumë. Nuk kam ndonjë reagim të madh, e kam vetëm pak temperaturë gjatë natës mirëpo mora paracetomol dhe nesërmen kam vazhduar me punën”, ka thënë Sead Zeka, laborant në IKSHPK.