Ferid Agani në Gjykatën e Apelit për rastin "Stenta" (12.06.2023) - FOTO: Laurant Berisha

Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin lirues ndaj Ferid Aganit dhe Gani Shabanit për rastin ‘Stenta’

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i të njëjtës ministri, Gani Shabani, në gusht të vitit 2022 ishin liruar nga akuza nga Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave, gjashtë vjet pasi ishin akuzuar për korrupsion.

Seanca në Gjykatën e Apelit ishte mbajtur për t`u shqyrtuar ankesa e Prokurorisë së shkallës së parë lidhur me vendimin lirues të Themelores, vendim i cili ishte apeluar mbi të gjitha bazat ankimore.

Prokuroria e Apelit me përgjigje në ankesë kishte propozuar nga gjykata që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar ndërsa kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe lënda të kthehet në shkallë të parë për rigjykim dhe rivendosje.

Palët mbrojtëse të Aganit dhe Shabanit kishin kërkuar nga gjykata që të vërtetojë aktgjykimin lirues të shkallës së parë dhe ta refuzojë ankesën e Prokurorisë.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit vendosi se ankesa e prokurorit karakterizohet me përshkrime abstrakte dhe pa pretendime specifike të ekzistimit të shkeljeve. Andaj sipas tyre edhe gjykata e shkallës së parë, me të drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale të keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje kolegji i Gjykatës së Apelit konstatoi se gjykata e shkallës së parë ka arritur në përfundimin e arsyeshëm, se nga provat e zbatuara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kaluar kompetencat e tyre apo nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, andaj, me të drejtë të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprën për të cilën janë akuzuar.

Agani e Shabani akuzoheshin se kishin vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendonte se Agani dhe Shabani me veprimet e tyre e kishin dëmtuar buxhetin e vendit mbi katër milionë euro pasi i kishin mundësuar përfitim financiar dy spitaleve private “IMH” dhe “EDA”.

Mirëpo dëmi i pretenduar nga ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare nga prokurorja Florije Shamolli nga 4.5 milionë në 11 mijë euro. Kjo pasi ishte ndryshuar diapozitivi i aktakuzës dhe ishte larguar pretendimi se të akuzuarit nuk kishin vepruar në përputhje me Ligjin për prokurimin publik.

Në lidhje me akuzat për keqpërdorim, Ferid Agani ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim ndërsa ish-sekretari Gani Shabani me dy vjet burgim pasi në vitin 2019 ishin shpallur fajtorë.

Të gjitha raportimet e tjera nga KALLXO.com lidhur me këtë rast, i gjeni në këtë LINK.