Foto: REL/AFP

Deportimi që Cenoi Demokracinë dhe Kushtetutshmërinë në Kosovë

Deportimi i gjashtë shtetasve të Turqisë nga Kosova, ka sfiduar dhe cënuar jo vetëm demokracinë në shtetin më të ri evropian, por ka ngritur edhe dyshime të bazuara për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës tashmë ka nisma që të thirren për raportim rreth këtij deportimi njerëzit përgjegjës. Në rast se vërtetohen dyshimet për shkelje ligjore e kushtetuese, atëherë shkarkimet apo dorëheqjet e personave përgjegjës, do të vinin si pasojë e këtyre zhvillimeve.

Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për Radion Evropa e Lirë se bazuar në Ligjin për të huajt në Republikën e Kosovës, përkatësisht nenin 100 paragrafi 1 pika 1.5 të këtij ligji, i huaji nuk mund të deportohet nga Kosova nëse në vendin e deportimit mund të kalojë nëpër procedura diskriminuese.

”Edhe nëse merret një vendim për deportim të të huajit, i njëjti pasi ta pranojë vendimin, ka të drejtë që në një afat prëj 8 ditësh ta paraqesë ankesën kundër vendimit në Gjykatën Themelore dhe nëse prapë nuk është i kënaqur me vendimin e gjykatës, atë mund ta apelojë në Gjykatën e Apelit, tetë ditë pasi që e ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore”, tha Spahija.

“Andaj duke u bazuar në këto fakte të lartëpërmendura, deportimi i shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshëm dhe ekzekutimi i masave të tilla duke i njohur rrethanat në shtetin që deportohen, janë në kundërshtim me vet ligjin dhe frymën e demokracisë e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, vlerësoi ai.

“Prokuroria duhet ex officio të fillojë me hetimet për lëshimet që janë bërë me apo pa qëllim nga zyrtarët shtetërorë që kanë dhënë urdhër për deportim të të huajve. Mosrespektimi i afateve dhe të drejtave themelore në apelim të vendimeve është shkelje edhe e Kushtetutës së Kosovës, por edhe konventave ndërkombëtare”, tha ai.

Tre krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit dolën me komunikata, duke konfirmuar se nuk ishin në njohuri për deportimin e shtetasve turq.

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar përgjegjësi për deportimin, sipas tij, “të jashtëligjshëm të gjashtë qytetarëve turq tek regjimi i Erdoganit”.

“Duhet të jepet përgjegjësi politike dhe intitucionale (shkarkimi i krerëve institucionalë që e kanë urdhëruar dhe zbatuar atë) dhe ndjekje ligjore për shkeljen e Konventes për të Drejtat e Njeriut”, ka shkruar Peci.

“Kur policia vepron pa urdhër gjyqësor në raste të tilla, atëherë kjo është shenjë e dukshme se jemi duke u shndërruar në një diktaturë me premisa të shtetit policor, dhe kësaj duhet t’i jepim fund, sepse nesër mund të bëhet vonë”, ka shkruar tutje Lulzim Peci.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës për 24 orët e fundit, në fshatin Petroc të Komunës së Gjilanit është njoftuar se viktima mashkull, i cili kishte qenë i përfshirë në aksident trafiku me datën, 29.03.2018, ka vdekur në QKUK.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.