Dënimi me burgim i ish-shefit të AKI-së, flet avokati i tij

Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim me të cilin ish-shefin e AKI-së e ka dënuar me 4 vite e tetë muaj dënim me burgim për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq. Ngjarje që kishte ndodhur në vitin marsin e vitit 2018.

Aktgjykimi dënues ndaj Driton Gashit u shpall nga trupi gjykues në përbërje nga Violeta Namani  në cilësinë e kryetares së trupit gjykues dhe anëtarët Musa Konxheli e Suzana Qerkini.

Driton Gashit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues ndalim në ushtrimin e funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 4 vite pas mbajtjes së dënimit kryesor.

Lidhur me këtë vendim të gjykatës KALLXO.com ka kontaktuar mbrojtësin e Driton Gashit, Florent Latifaj.

I njëjti u shpreh i pakënaqur lidhur e vendimin e shkallës së parë, i cili tha që është plotësisht i padrejtë.

“Nuk jemi të kënaqur fare me këtë vendim, patjetër që kemi me apeluar, është plotësisht i padrejtë” – tha Latifaj.

Ai tha se ky aktgjykim do apelohet posa të pranohet në formë të shkruar.

“Çështja është që lidhet me dënimin kryesor…, kemi me apeluar kur ta marrim me shkrim vendimin”- tha në vazhdim Latifaj.

Tutje Latifaj tha që kanë pritur që gjykata të merr aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të tij.

Kujtojmë që Gashi në fazën e dhënies së mbrojtjes nuk ishte deklaruar, pra kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje.

Arsyeja e këtij veprimi të Gashit sipas tij ishte që çdo deklarim i tij gjatë dhënies së mbrojtës mund të ishte informacion i klasifikuar, ne nivelin tepër sekret.

“Çdo deklarim i imi për informacione që mund të jenë të klasifikuara në rastin konkret në nivelin tepër sekret me vendos në një pozicion që mund të shkel ligjin dhe të konsiderohet vepër penale që mund të jetë e ndëshkueshme me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Andaj për dhënien e informacioneve specifike, deklaroj se mbrohem në heshtje”- kishte deklaruar i akuzuari Gashi.

Edhe Valon Krasniqi kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje gjatë kësaj faze. Për dallim nga dy të bashkakuzuarit, Sylejmani kishte dhënë mbrojtën e tij.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Valon Krasniqi e Rrahman Sylejmani për keqpërdorim të detyrës zyrtare e privim të kundërligjshëm të lirisë.

Për dy të fundit gjykata mori vendim që t`i liroj nga akuza pasi që nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat që ju vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK