Dy nga tre të akuzuarit në ‘rastin e gylenistëve’ mbrohen në heshtje

Ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi dhe drejtori i Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, së bashku me drejtorin e Migracionit, Rrahman Sylejmani, u ulën përsëri sot në bankën e të akuzuarve për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Për këto akuza të prokurorisë ish shefi i AKI-së, Driton Gashi nuk deshi të deklarohet, duke shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje me arsye të mos zbulimit të ndonjë informacioni të klasifikuar gjatë dhënies së mbrojtjes.

“Çdo deklarim i imi për informacione që mund të jenë të klasifikuara në rastin konkret në nivelin tepër sekret me vendos në një pozicion që mund të shkel ligjin dhe të konsiderohet vepër penale që mund të jetë e ndëshkueshme me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Andaj për dhënien e informacioneve specifike, deklaroj se mbrohem në heshtje”- deklaroi i akuzuari Gashi.

Se do të mbrohet në heshtje pasi që ndihet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës u deklarua edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Valon Krasniqi.

“Marr për bazë faktin se në tërësi ndihem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës…, dhe se veprimet e mia janë marrur në përputhje me ligjin në fuqi…. E njoftoj gjykatën që unë do ta shfrytëzojë të drejtën time që gjatë procedurës të marrjes në pyetje unë të mbrohem në heshtje”- u deklarua Krasniqi.

Kurse mbrojtjen e tij për dallim nga dy të akuzuarit e tjerë vendosi ta jap ish drejtori i drejtorisë së e Migracionit në atë kohë, Rrahman Sylejmani, i cili këtë detyrë e kishte ushtruar nga viti 2013 deri në shtator të vitit që lam pas.

I njëjti tha që informacionin në lidhje me rastin e gjashtë shtesave turq e kishte pranuar përmes telefonit dhe atë një ditë para ndodhisë.

“Unë rreth këtij rasti jam njoftuar më datën 28 mars 2018, rreth orës 15:15 përmes telefonit nga Shaban Guda i cili m’ka ftuar që të shkoj në zyrën e tij në një takim pa më dhënë detajet të tjera e mbasi jam shku (në takim) e kom kuptuar qëllimin e takimit”-tha Sylejmani.

Në të njëjtin takim pjesëmarrës sipas Sylejmanit ishte i akuzuari Krasniqi dhe dy agjentë të AKI-së.

Në atë takim Sylejmani tha që në pika të shkurtra i ishte treguar për shtetasit turq, pesë prej të cilëve iu kishte revokuar leja e qëndrimit kurse njëri ishte në procedurë për vazhdim të lejeqëndrimit.

Tutje i njëjti tha që nga Krasniqi e kishte njoftuar Sylejmanin, që janë përfunduar të gjitha procedurat e revokimit dhe refuzimit të lejeve të qëndrimit, transporti ishte siguruar për ta dhe do duhej të deportoheshin nga Kosova pasi që sipas vlerësimit të AKI-së qëndrimi i tyre në vend përbën rrezik për sigurinë e vendit.

Seanca e radhës për këtë rast  do të mbahet me 17 maj të këtij viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, në mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK