6 shtetasit turq të deportuar nga Kosova në Turqi - FOTO ARKIV

Komiteti i OKB-së: Zvicra nuk duhej t’a kishte deportuar çiftin turk në Kosovë

Komiteti i OKB-së Kundër Torturës tha se Zvicra nuk do të duhej t’a kish deportuar një çift turk të lidhur me klerikun e mërguar Fethullah Gulen në Kosovë, sepse ekziston rreziku që ata të transferohen në Turqi dhe të përballen me tortura.

Komiteti i OKB-së Kundër Torturës tha në një vendim se qeveria zvicerane nuk duhet ta deportojë një çift turk që dyshohet se janë anëtarë të rrjetit të klerikut të mërguar Fethullah Gulen në Kosovë, sepse “ata do të përballeshin me një rrezik real për t’u transferuar me forcë dhe për t’iu nënshtruar torturës në Turqi”.

Çifti, i cili për vite me radhë kanë punuar si mësues në shkollat e ndërlidhura me Gylen në Kosovë, ka aplikuar për azil në Zvicër në vitin 2020, por kërkesa e tyre është refuzuar nga autoritetet zvicerane dhe është vendosur që ata të deportohen në Kosovë.

Mirëpo, komiteti i OKB-së tha në vendimin e tij, vendim ky në të cilin ka pasur qasje BIRN, se sipas Konventës së OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit tjetër Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues, Zvicra e ka për obligim të përmbahet nga të kthyerit me forcë të çiftit në Kosovë.

Turqia e konsideron rrjetin e Gylenit si një organizatë terroriste dhe ka kërkuar në mënyrë aktive arrestimin e anëtarëve të saj brenda dhe jashtë Turqisë.

Ali Yildiz, avokati i çiftit që i përfaqësoi ata në komitetin e OKB-së, tha se Kosova nuk është një vend i sigurt për gylenistët dhe se qeveria zvicerane e ka shkelur Konventën e OKB-së Kundër Torturës duke vendosur t’i deportojë ata në Kosovë.

“Komiteti, i cili tashmë ka nxjerrë një masë të përkohshme për ta parandaluar deportimet e ankuesve, arriti në përfundimin se autoritetet zvicerane kishin gabuar gjatë marrjes së vendimeve të tyre”, deklaroi Yildiz për BIRN.

Gjashtë shtetas turq të lidhur me rrjetin e Gylenit në Kosovë u deportuan në Turqi në vitin 2018. Deportimet e atëhershme kontraverse u dënuan nga grupet e të drejtave dhe shkaktuan një krizë politike në Kosovë.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës këmbëngul se “nuk ka pasur asnjëherë ekstradime të tilla nga Republika e Kosovës në Republikën e Turqisë”. Ai argumentoi se turqit në vitin 2018 u deportuan me udhëzimet e Ministrisë së Brendshme në vend që të ekstradoheshin, pasi ekstradimi kërkon një vendim gjykate. Ministria e Brendshme dhe zyra e kryeministrit nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në momentin e publikimit.

Megjithatë, komiteti i OKB-së tha se definicioni i tij i deportimit përfshin ekstradimet dhe transferimet e dhunshme.

Komiteti në fjalë tutje tha se ka arsye për shqetësim shtesë për shkak të ndikimit të Turqisë në Kosovë, pasi deportimet e mëparshme të gylenistëve kanë ndodhur “përkundër udhëzimeve të Kryeprokurorit Special të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesën për ekstradim të individëve në fjalë”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe qeveria e tij e akuzojnë Gulenin dhe rrjetin e tij për orkestrimin e një grusht-shteti të dështuar të vitit 2016 dhe e përkufizojnë rrjetin si “Organizata Terroriste Fethullahiste”, ose shkurt “FETO”. Megjithatë, Gulen mohon çdo përfshirje të tij.

Një komision parlamentar i Kosovës i cili e hetoi rastin e deportimit shumë të diskutueshëm të gjashtë gylenistëve të supozuar në Turqi në vitin 2018 konstatoi se vendimi mbi deportimin i ka shkelur 31 ligje dhe procedura të Kosovës.

Zvicra: Vendimi i Komitetit të OKB-së nuk është i detyrueshëm

Një zëdhënës i Sekretarit të Shtetit Zviceran për Migracionin tha për BIRN se autoritetet zvicerane nuk ofrojnë informacion për raste specifike, duke shpjeguar se “kjo parandalohet, ndër të tjera, nga mbrojtja e të dhënave dhe privatësisë”.

Megjithatë, zëdhënësi i lartcekur tha se “ndryshe nga një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjetjet e Komitetit [KB] Kundër Torturës (CAT) nuk janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar”.

Zëdhënësi në fjalë tha se në të kaluarën, Zvicra më së shumti u është përmbajtur rekomandimeve dhe gjetjeve të komitetit të OKB-së.

Mirëpo, tutje zëdhënësi shtoi se “megjithatë, kjo nuk i vendos komunikimet e Komitetit Kundër Torturës si detyruese. Vetë Komiteti Kundër Torturës pranon gjithashtu se gjetjet e tij janë vetëm me natyrë deklarative dhe nuk krijojnë asnjë obligim për t’i ndryshuar vendimet mbi azilin”.

Zëdhënësi tha më tej se miratimi i një ankese individuale nga komiteti i OKB-së “nuk përbën një bazë të pavarur për apelim”.

Komiteti i OKB-së thotë se Zvicra e mbrojti vendimin e saj për deportimin e çiftit turk duke thënë se nëse Kosova i transferon ata në Turqi, “një veprim i tillë në fakt do ta rrezikonte funksionimin e duhur të bashkëpunimit dypalësh me Zvicrën, i cili nuk është në interesin e Kosovës”.

Mirëpo, avokati Yildiz thotë se “gjashtë persona turq që ndërlidhen me lëvizjen Gulen u riatdhesuan me forcë nga Kosova dhe u burgosën në Turqi, dhe Turqia ka ndikim dhe autoritet të madh mbi Kosovën”.

Mijëra institucione – universitete, shkolla, banka, kompani mediatike, OJQ dhe kompani private – në pronësi ose të drejtuara nga anëtarë të dyshuar të rrjetit të Gylenit janë kapur në Turqi që kur autoritetet e atjeshme e shtypën tentativën për grusht-shtet në vitin 2016. Qindra mijëra njerëz janë hetuar, arrestuar dhe burgosur për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me Gylen.

Qeveria turke vazhdon t’u bëjë presion vendeve të tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Megjithatë, deri më tani, përveç disa shteteve në Afrikë dhe Azi me qeveri autokratike, shkollat e Gulenit kanë vazhduar të funksionojnë dhe shumica e vendeve i kanë rezistuar ose injoruar kërkesat e Ankarasë për ekstradimin e ndjekësve të Gulenit, duke e përjashtuar Kosovën, Shqipërinë dhe Moldavinë në rajonin e Evropës jug-lindore.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.