Rasti 'Gylenistët', ish shefi i AKI-së shpallet fajtor nga gjykata e shkallës së parë

Driton Gashi, ish-shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale keqpërdorin i pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ish shefi i Agjencisë Kosovare u dënua me 4 vite e 8 muaj dënim me burgim si dhe me dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 4 vite pas mbajtjes së dënimit.

Kurse dy të akuzuarit e tjerë, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani, të ngarkuar me keqpërdorm të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privim i kundërligjshëm nga liria janë liruar nga akuza, pasi që për ta nuk ishte arritur të provohej kryerja e veprave penale.

Në shpallje të aktgjykimit prezent ishin që të tre të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK