Rasti 'Gylenistët’, avokati lëshon në seancë gjyqësore video me deklarimin e Erdoganit

Gjykimi ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit, të akuzuar në rastin e deportimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq në vitin 2018, ka vazhduar sot në Gjykatën e Prishtinës, në të cilën u transmetuan videot e siguruara nga avokati i familjarëve të të deportuarve.

Video e parë e siguruar nga avokati Urim Vokshi, shihej presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan, duke mbajtur fjalim lidhur me 6 personat e deportuar nga Kosova.

“Shikoni nga Kosova, për 6 persona çka bënë, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës biseduan me ta, i paketuan, i morën, i sjellën në Turqi,  ngjarja është kjo” – dëgjohet duke thënë Erdogan në këtë video, e cila është cituar më pas në gjuhën shqipe nga përkthyesi.

Si provë, avokati Vokshi kishte siguruar edhe intervistën e Sabri Demir, kryekëshilltarit dhe të dërguarit special të presidentit turk për Ballkanin, i cili po ashtu diskutonte lidhur me çështjen e deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova.

Po ashtu, Vokshi si prova të reja propozoi sot në seancë dy dokumente, vendimin e  marrë nga drejtori i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj që tani është i akuzuar në këtë rast Rrahman Sylejmani, në lidhje me një shtetas të huaj të Jordanisë në Kosovë.

Me të cilat, sipas avokatit do të vërtetohet se mënyra e deportimit të 6 shtetasve turq është e ndryshme me mënyrën se si procedohet në raste të tjera.

“I propozoj gjykatës që përveç këtyre dy vendimeve të nxjerrët e tërë dosja e shtetasit jordanez në mënyrë që të provohet se çfarë arsye paskan ekzistuar që ai të trajtohet ndryshe nga kjo dosje penale” – tha avokati Vokshi.

Këtë propozim e mbështeti edhe prokurorja  e rastit, Habibe Salihi.

Mirëpo, administrimin e këtyre provave e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve duke thënë se “kjo lloj analogjie nuk aplikohet tek trajtimi i veprave penale”.

Në lidhje me këtë propozim të palës së dëmtuar, trupi gjykues me në krye gjyqtaren Violeta Namani, njoftuan se do të vendosin pasi që të kenë shqyrtuar dokumentet jashtë seancës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të tre zyrtarët akuzohen se keqpërdorën pozitën apo autoritetin zyrtar dhe privuan kundërligjshëm nga liria gjashtë shtetasit turq në vitin 2018.

Sipas aktakuzës, mëngjesin e 29 marsit të 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë, operacioni i AKI-së sipas ekspertit amerikan, kishte “pushtuar” zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin “rrezik për sigurinë kombëtare”.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.