Bordi Shkarkon Kryeshefin-Zhurmë në Stacion

Shkarkimin e Ylber Çitakut, kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë e konfirmoi për KALLXO.com Sherif Sejdiu, drejtori i Bordit të këtij stacioni.

“Unë nuk e di saktë çka po ndodh atje, mirëpo vetëm e di që bordi ka një vendim për shkarkimin e Ylber Çitakut nga posti i kryeshefit të stacionit,” tha Sejdiu që nuk ishte i pranishëm në momentet kur punëtorët hynë në zyrën e kryeshefit të deritashëm.

Ylber Çitaku që edhe sot doli në punë megjithëse është shkarkuar, tha se vendimi i Bordit të Stacionit të Autobusëve ka shumë defekte.

“Bordi i drejtorëve ka marrë vendim më 5 shtator për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv pa ndonjë arsyetim të mirëfilltë, ndërsa arsyetimi i mirëfilltë është dhënë ditën e njëjtë nga auditorja e brendshme. Bordi merr vendim paradite që listojnë një varg të gjeturash sipas tyre, kurse auditorja e brendshme e dorëzon raportin ku thotë së asnjë nga shqetësimet e bordit nuk janë të faktume,“ tha Çitaku.

Nezir Rama është i caktuari i bordit si ushtrues detyre i kryeshefit të stacionit të autobusëve, por ai tha për KALLXO.com se punën po e kryen nga zyra e tij..

“Unë jam i zgjedhur prej bordit dhe mendoj që ai bord është legjitim deri sa aksionari tjetër bord nuk ka emëruar. Unë e kom një vendim prej tyre dhe e kam ushtruar detyrën. Deri tash ish-kryeshefi ka nejtur në zyrën e tij, probleme nuk kemi pasur, mirëpo punëtorët sot erdhën na thanë duhet me i liru zyrat deri në një marrëveshje me bordin,“ theksoi Rama.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Zyrës së Kontabilitetit në stacionin e Autobusëve të Prishtinës Emin Sylejmani deklaroi se punëtorët rrezikojnë t’i marrin pagat e këtij muaji pasi që xhirollogaria bankare e kësaj ndërmarrjeje është mbyllur nga Ylber Çitaku.

“Nuk jam i sigurt se do t’i marrin pagat por jam i sigurt se mjete ka në xhirollogarinë që është e bllokuar nga Ylber Çitaku,“ tha Sylejmani.

Por Çitaku mohoi bllokimin e xhirollogarisë.

“Unë nuk e besoj që do ndodhë ajo, por unë nuk kam autoritet me blloku xhirollogarinë,” tha Çitaku.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe aksionarë tjerë të kësaj ndërmarrjeje po një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Në zyrën e kryeshefit ka pasur pakënaqësi, akuza dhe kundërakuza në mes të punëtorëve dhe stafit menaxhues edhe për keqpërdorimet e mundshme që kanë ndodhur në këtë ndërmarrje.

Në fund kanë ardhur në përfundim që të presin deri nesër mbledhjen e bordit të drejtorëve për daljen nga kjo situatë.