'Xhamia e Llapit', Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Ndalja e autobusëve të Podujevës tek 'Xhamia e Llapit', Komuna e Prishtinës paralajmëron masa ligjore

Komuna e Prishtinës në asistimin e Policisë së Kosovës, nuk ka lejuar autobusët ndërurban të Podujevës të ndalojnë tek “Xhamia e Llapit” në kryeqytet, më 18.08.2025.

Komuna ka njoftuar se është e përkushtuar për të respektuar marrëveshjen për qarkullimin e autobusëve ndërurban, përfshirë linjat nga Podujeva – duke u kërkuar të bëjnë ndalje te Stacioni i Autobusëve.

Sipas komunës, marrëveshje nuk ka qenë e njëanshme dhe se në proces kanë marr pjesë ata, Komuna e Podujevës, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Shoqata e Operatorëve të Transportit.

“Raportimet e fundit që tregojnë se disa operatorë nga Podujeva synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës dhe të ndalojnë në Xhaminë e Llapit janë shqetësuese dhe përbëjnë shkelje të qartë të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës gjatë 18.08.2025 përmes Inspektoratit komunal kontrolloi dhe ndaloi autobusët. Edhe Policia konfirmoi asistimin.

“Po asistojmë inspektorët komunalë” – deklaroi Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.

Kurse Komuna e Prishtinës shtoi se nuk do të lejohet dhe se do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore dhe administrative për të siguriar që të gjithë autobusët ndërurban të ndalojnë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për të marrë dhe lëshuar udhëtarët.

“Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike” – thuhet tutje në njoftim.

Kjo komunë ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të rishikojë dhe revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën e nisjes. Sipas komunës, mosrespektimi i këtij detyrimi e bën të pavlefshme licencën.

Sipas tyre, Komuna e Podujevës nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët, për këtë, sipas Prishtinës duhet të respektohen rregullat ekzistuese.

“I bëjmë thirrje të gjithë operatorëve të transportit që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. Komuna e Prishtinës mbetet e hapur për dialog, por do të veprojë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik” – thuhet tutje në njoftim.