Foto: Pixabay Ilustrim
Policia franceze protestues në protestat “Bllokoni gjithçka”
Protestuesit nga një lëvizje e re në Francë kanë dalë të mërkurën në mëngjes (10.09.2025) në rrugët kryesore të vendit, duke bllokuar trafikun, me policinë që ka arrestuar dhjetëra demonstrues pas nxjerrjes së forcave të sigurisë në mbarë vendin, raporton Reuters duke iu referuar zyrtarëve francezë.
Informacionet për demonstratat e së mërkurës të “Bllokoni gjithçka”, kanë nisur të dalin gjatë verës në mediat sociale, duke tërhequr paralele me protestat e vitit 2018 të “Jelekverdhëve”, që kishin nisur pas ngritjes së çmimeve të derivateve, por që do të shndërroheshin në një lëvizje të gjerë kundër presidentit Emmanuel Macron dhe planeve të tij për reforma ekonomike.
Anëtarë të lëvizjes “Bllokoni gjithçka”, që analistët dhe zyrtarët thonë se kanë nisur në mesin e grupeve djathtiste para se të bënin pjesë edhe ato majtiste dhe majtiste ekstreme, konsiderojnë se sistemi politik më nuk përkon me qëllimin.
Demonstratat mund ta rëndojnë kaosin politik të Francës dy ditë pasi parlamenti rrëzoi tashmë ish-kryeministrin François Bayrou me mocion votëbesimi. Macroni ka emëruar të martën në mbrëmje kryeministrin e pestë brenda më pak se dy vjetësh, Sebastian Lecornu.
E majta ekstreme, Franca e Papërkulur, ka bërë të ditur se menjëherë ka iniciuar mocion mosbesimi ndaj Lecornut, megjithëse partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, ka sinjalizuar tani për tani mund të punojë me kryeministrin e ri.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com