Foto: RTV 21

Bekim Jashari: Shkova te Sami Lushtaku me kërkesë të Ramush Haradinajt

Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka sqaruar praninë e tij në një tavolinë në oborrin e shtëpisë së paraardhësit të tij në këtë komunë, Sami Lushtaku, gjatë ditës së sotme.

Në një deklaratë me shkrim, Jashari ka treguar se ai është gjetur në atë ndejë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një turi që ky i fundit kishte nëpër Drenicë ku u takua edhe me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në ndejën te Lushtaku kanë qenë të pranishëm edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Muajve të fundit, Bekim Jashari kishte akuzuar Lushtakun për bllokadë të punës në asamblenë komunale të Skënderajt.

Më poshtë lexoni deklaratën e plotë të Bekim Jasharit:

Sot kisha kënaqësinë ta takoj në Komunën tonë Kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj me të cilin biseduam për projektet e Komunës së Skenderajt.

Kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj e falënderoj për vizitën dhe mbështetjen e tij.

Sot me kërkesën e tij si nikoqir i Komunës, e shoqërova z. Haradinaj, edhe në një ndejë private te ish-kryetari Sami Lushtaku.

Prandaj dua të sqaroj gjithë opinionin se unë si nikoqir i Komunës isha shoqërues i Kryeministrit dhe asgjë më shumë.

Vazhdoj të jem Kryetar i Skenderajt transparent, llogaridhënës dhe nuk ka asnjë lëkundje në projektet tona për zhvillim të Skenderajt dhe qëndroj prapa të gjitha deklaratave të mia për të gjitha zhvillimet.

Qytetarët e Skënderajt po e shohin frymen e re të qeverisjes me transparencë dhe llogaridhënie, pa korrupsion me duar të pastërta, me synim të qartë arsimin dhe zhvillimin e Skenderajt.