Avdullah Hoti LDK

Avdullah Hoti nga LDK fton partitë për një tryezë të përbashkët politike

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë sot se pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri, kriza në vend është duke u thelluar.

Në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje ai ka ftuar partitë politike në një tryezë të përbashkët.

“Ne vlerësojmë se na duhet konsensus për tejkalimin e kësaj krize institucionale. Ne vlerësojmë se të gjitha forcat politike në Kosovë duhet të tregojnë përgjegjësi për të dal nga kjo situatë që të mos thellohet më tutje. Ne ftojmë që të mblidhemi në një tryezë të partive politike sa më parë”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

Ai ka shtuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Duhet të kthehemi në Kuvendin e Kosovës për të miratuar disa çështje që janë në pritje, rezolutën e opozitës për heqjen e idesë së korrigjimit të kufijve nga dialogu, të kalojmë leximin e dytë të ligjin për ushtrinë dhe ta aprovojmë ligjin për buxhet për vitin 2019 që të mos bllokohemi. Pas kësaj mendoj se kuvendi duhet me u shpërbë sepse mendoj se Kosovës i duhet një qeveri e përgjegjshme, profesionale që nuk i delegon kompetencat e saj”, ka deklaruar Hoti.

Ai theksoi se situata e Kosovës në arenën ndërkombëtare është në “pozitën më të disfavorshme historikisht madje edhe gjatë viteve 90-ta kemi pasur më shumë përkrahje se tani”.