Aktakuzë për Pjesëmarrje në ISIS

Sipas Prokurorisë Speciale, aktakuza ndaj personit me inicialet G.H. është ngritur nga një prokuror vendas i saj nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Prokuroria pretendon “se është vërtetuar se nga muaji gusht 2013 deri në shkurt 2014, i pandehuri G.H., ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste ‘ISIS’ në Siri,”.

Prokuroria bën me dije se personi ndaj të cilit është ngritur aktakuza tashmë është dënuar në Rastin “Badovci”.

“Vlen të theksohet se i njëjti person është shpallur fajtor në rastin “Badovci” dhe gjendet në paraburgim sipas rastit në fjalë,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Në Rastin “Badovci” më 18 korrik pesë persona u dënuan ngase planifikonin të incizonin një video te liqeni i Badovcit me të cilën do t’i shprehnin besnikërinë organizatës ISIS.

Në mesin e të dënuarve ishte edhe  Gazmend Haliti, të cilit gjykata i shqiptoi dënimin me burg prej 12 vjetësh.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

KALLXO.com vazhdimisht ka ndjekur gjykimet për terrorizëm. Shkrimet rreth aktakuzave, gjykimeve dhe dënimet për vepra që lidhen me terrorizmin mund t’i lexoni këtu.