Dështon seanca ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, mungon Mentor Beqiri dhe Vesat Imeri

Në Gjykatën e Prishtinës ishte paraparë të mbahej gjykimi ndaj të akuzuarve Albert, Arianit e Mentor Beqiri dhe Vesat Imerit, të akuzuar për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe krim të organizuar.

Sipas Prokurorisë kompania e përfshirë në këtë rast, NTP OIL KOSOVA, i detyrohet ATK – së shumën prej mbi 2 milionë euro.

Gjykimi i së premtes (19.04.2024) dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarve Mentor Beqiri dhe Vesat Imeri.

Kujtojmë se të akuzuarit Mentor Beqiri, të enjten më datë 18.04.2024 i është caktuar masa e paraburgimit pikërisht nga Gjykata e Prishtinës nën dyshimet për vrasje të rëndë në tentativë. Rasti ka të bëjë me rastin e gjuajtjeve me armë zjarri që ndodhi mes dy veturave në lëvizje në Graçanicë.

Ndërkaq, në gjykimin e së premtes prezent ishin të akuzuarit Albert Beqiri dhe Arianit Beqiri.

I akuzuari Albert Beqiri, vëllai i të akuzuarit Mentor Beqiri, për mos prezencën e vëllait të tij tha se i njëjti ka pësuar një aksident e për këtë arsye gjendet në paraburgim.

Ndërkaq për Vesat Imerin gjykata njoftoi se mungesa e tij erdhi si shkak i ndërrimit të vendbanimit.

Trupi gjykues i Departamentit Special në këtë rast kryesohet nga Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Kujtim Krasniqi, Kushtrim Shyti. Ndërkaq aktakuza e EULEX-it po përfaqësohet nga Prokurorja Speciale Habibe Salihu.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Aktakuza për këtë rast bën të ditur se veprimet inkrimunese të të akuzuarve pretendohet të jenë kryer në periudhën 2011 – 2012.

Kështu, Albert, Mentor dhe Arianit Beqiri akuzohen se në cilësinë e pronarëve të biznesit NTP OIL KOSOVA kanë dhënë informata të rreme për Administratën Tatimore të Kosovës lidhur me të ardhurat e gjeneruara nga veprimtaria e këtij biznesi.

Aktakuza thotë se detyrimi i shmangur ka kaluar shumën prej 15 mijë eurosh, dhe këto veprime janë kualifikuar me veprën penale Shmangie nga Tatimi.

Dosja thotë se dallimi i përgjithshëm i tatimeve të paguara është 1,690,541 euro ndërkaq kompania në fjalë, llogaritur edhe dënimet e interesi i aplikueshëm, i detyrohet ATK – së shumën e përgjithshme prej 2,818,773 eurosh.

Për ndihmë në shmangie të tatimit po akuzohet Vesat Imeri i cili sipas aktakuzës të lartcekurve u ka dhënë këshilla e udhëzime për të kryer veprën për të cilën akuzohen si dhe u ka vënë mjete në dispozicion dhe hequr pengesa për kryerjen e kësaj vepre.

Tutje, ndaj katër të akuzuarve gjithashtu rëndon edhe akuza për shpëlarje parash në lidhje me pasurinë e fituar nga vepra penale e shamgies së tatimit.

Përveç kësaj, Albert, Mentor e Arianit Beqiri dhe Vesat Imeri akuzohen për krim të organizuar, pasi sipas dosjes, të njëjtit kanë kryer krime të rënda si pjesë e grupit të strukturuar mes tyre.

Në aktakuzë thuhet se biznesi në fjalë është në emër të të akuzuarit Albert Beqiri ndërkaq dosja thotë se hetimet kanë shpërfaqur se menaxherët e vërtetë dhe vendmarrësit ishin Mentor Beqiri dhe Arianit Beqiri.