Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti Fton Institucionet Përgjegjëse për të Diskutuar për Ndotjen

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook i ka bërë ftesë Qeverisë që të mbledhë të gjitha institucionet përgjegjëse duke përfshirë edhe komunat e prekura për të diskutuar masat e mundshme afatshkurta rreth ndotjes së ajrit.

“Ditëve dhe javëve të fundit Prishtina po ballafaqohet me nivele të larta të ndotjes, posaçërisht në grimcat 2.5 mm të cilat po publikohen nga matësi i vendosur nga Ambasada Amerikane në Arbëri/Dragodan. Kjo është pika më e ndotur në Prishtinë për shkak të afërsisë me Termocentralet në Obiliq”, ka theksuar Ahmeti.

Ahmeti në postimin e tij ka përmendur si burime të ndotjes termocentralet, metodat alternative të ngrohjes (djegia e drunjve dhe qymyrit), trafikun, kushtet atmosferike, gjelbërimin e pamjaftueshëm dhe ndërtimet.

“Si Komunë janë disa politika që mund t’i ndikojmë e disa të tjera që nuk mundemi (termocentralet nuk mund t’i lëvizim). Në aspektin afatmesëm kemi disa projekte që do ta përmirësojnë gjendjen, zgjerimi i ngrohjes qendrore, përveç fazës se tanishme ku me financimin e qeverisë gjermane dhe Komisionit Evropian do te kyçen edhe mbi 5 mijë njësi banesore, në takim me qeverinë kemi kërkuar dyfishimin e kapaciteteve në KEK (kosto rreth 25 milionë euro) që brenda 5-7 viteve do të zvogëlonte dukshëm ngrohjen alternative, reforma e Transportit Publik, ngritja e vazhdueshme e hapësirave gjelbëruese” ka theksuar Ahmeti në postimin e tij në Facebook.

Më tej ka shtuar se në takim me ministren Reshitaj kanë diskutuar edhe hapat afatshkurtër e ku Komuna e Prishtinës pasi të marrin të dhënat zyrtare nga Ministria do të mund t’i mbyllin rrugët e kryeqytetit për qarkullim (përveç transportit publik) në orare të caktuara.

Ahmeti ka thënë se për shkak të pozitës së Prishtinës, ndotja më e madhe është në mbrëmje kur nuk ka qarkullim të veturave.

Po ashtu ai ka paralajmëruar edhe reduktime në trafikun rrugor në Prishtinë.

“Komuna do të vazhdojë të merr masa afatshkurta dhe afatmesme në përputhje me vlerësimet dhe analizat e të gjitha institucioneve përgjegjëse në Republikën e Kosovës. Javën tjetër mund të priten reduktime në trafik për shkak të gjendjes momentale. Kjo gjendje është e rëndë edhe për shkak te kushteve atmosferike që janë paralajmëruar për Kosovë, Maqedoni e Bullgari”, ka përfunduar i pari i kryeqytetit të Prishtinës.

Më herët gjatë ditës KALLXO.com ka shkruar edhe për reagimin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe grupit parlamnetar të LDK-së për ndotjen e ajrit në Prishtinë.

http://kallxo.com/reagon-ministrja-lidhur-ajrin-e-ndotur-ne-prishtine/

http://kallxo.com/ldk-kerkon-raportim-per-ndotjen-e-ajrit-ne-prishtine/