Varrimi i Ukë Sait Ukajt në Piranë të Prizrenit, Foto: Driton Selmanaj/Facebook

Varroset në Piranë të Prizrenit Ukë Sait Ukaj, trupi i tij ishte i zhdukur që nga lufta

Mbetjet e trupit të patriotit Ukë Sait Ukaj, i zhdukur që nga lufta në vitin 1999, është varrosur në Piranë të Prizrenit pas 25 vitesh nga zhdukja e tij.

Kështu ka njoftuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Ai tha se familja Ukaj dhe Pirana jetuan për 25 vjet në mungesë të Ukajt.

“Bashkë me bashkëpuntorë, sot nderuam figurën e patriotit nga Pirana, Ukë Sait Ukaj, për fatin e të cilit nuk është ditur nga viti 1999 e deri më tani. Trupi i Bacit Ukë është gjetur pas 25 viteve, dhe sot ne e nderuam figurën e tij me respektin më të madh”- ka shkruar Selmanaj në Facebook më 04.05.2024.

Deputeti tha se luten për të gjithë familjet e të zhdukurve, që sa më parë të dihet për fatin e më të dashurve të tyre.

“Gjithashtu nuk duhet të ndalemi së kërkuari që kriminelët që kryen aktet e tilla të dalin para drejtësisë! Ata e donin Kosovën, ata e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi për Bacin Ukë! Lavdi gjithë të rënëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë!”- vazhdon postimi i deputetit.

1617 qytetarë të Kosovës vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga lufta e fundit, sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.