Arkivë - Policia e Kosovës, Zubin Potok (maj 2023)
Izmir Zeqiri ende jashtë zyrës - arsyet “teknike”
Janë bërë gati dy javë prej kur votimi për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dështoi për shkak të numrit të vogël të votuesve. Në majin e vitit 2023, në po këto komuna: Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok pati trazira për largimin e kryetarëve nga pozitat e tyre por të njëjtit bojkotuan votimet për largimin e tyre gati një vit më pas.
Dështimi i daljes së votuesve në këtë proces, ashtu siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë, pra nuk ishte arritur 50% i domosdoshëm, bëri që kryetarët shqiptarë të mbesin në pozitat e tyre.
Por si po shkon puna tash pas dy javësh?
Pas një jave nga votimet për ose kundër largimit të kryetarëve, në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, më 26.04.2024 u mbajt seanca e parë në të cilën mori pjesë edhe kryetari i komunës, Izmir Zeqiri. Mirëpo, kryetari dhe stafi ende nuk janë vendosur që të ushtrojnë funksionin e tyre në këtë objekt.
Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut tha për Kallxo.com që nuk kanë pasur ndonjë ndryshim që nga votimet e fundit dhe se ende është i vendosur në objektin e Zyrës Komunale për Komunitete në Çabër. Ai thotë që nuk janë vendosur në objekt të komunës vetëm për shkaqe teknike.
“Për disa shkaqe teknike akoma nuk jemi vendos krejt sa duhet. Diçka ka filluar e do të shkon t’u funksionu gjithçka, për ma tepër problemet janë veç teknike. E kemi një ekip atje për objekt që janë t’u u kujdes për me i identifiku disa çështje teknike të brendshme atje, zyret.., dyert”- tha Zeqiri më 03.05.2024, i cili beson që disa procedura të tjera do të zhvillohen në muajin maj.
Zeqiri tha se aktualisht janë të vendosur Komisioni Komunal Zgjedhor, Komisioni për Regjistrim të Popullsisë, Zyra për Regjistrim të Bizneseve dhe Zyra për Regjistrim të Automjeteve.
“Po, këto tjerat vazhdojnë të fillojnë tash e tutje. Për çdo ditë po punojmë e nuk mund të jap as orë e ditë”- tha ai, duke shtuar që procedurat po vonojnë edhe pse buxheti është planifikuar në vitin e kaluar.
Ndërkaq, kryetarët tjerë, Erden Atiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut; Lulëzim Hetemi, kryetar i Leposaviqit dhe Ilir Boletini, kryetar i Zveçanit nuk u përgjigjën në telefonatat dhe pyetjet e Kallxo.com deri në publikimin e këtij artikulli.
Komisioni Qendror Zgjedhor kishte vënë në pah që në komunën e Leposaviqit kishin votuar vetëm 124 qytetarë nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18, nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209; dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796.
Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe. Ky UA, përcaktonte që kryetari i komunës, konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij. Nëse shpallej një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë do ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23.04.2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.
Bashkimi Europian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit. Këto masa ende nuk janë larguar nga BE kundrejt Kosovës. Edhe pse autoritetet kosovare realizuan zotimin për mundësimin dhe organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, BE ka thënë se kjo nuk i ka kontribuar shtensionimit të situatës në veri.