Tentimi për t’i vënë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari”, Prokuroria jep detaje

Dy persona të panjohur të cilin ishin maskuar e posedonin me vete edhe materiale djegëse kishin tentuar që t’i vënë flakën objektit të shkollës “Meto Bajraktari”, e cilat gjendet në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë.

Dy të dyshuarit deri më tani ende të paidentifikuar, sipas policisë kishin thyer një dritare të shkollës më 03.05.2024, e më pas kishin hedhur edhe benzinë me qëllimin që t’i vinin flakën objektit.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës tha se prokurori kujdestar ka inicuar hetime dhe janë duke ndërmarrë veprime për identifikimin e dy të dyshuarve.

“Ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar hetime dhe në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime drejt identifikimit të të dyshuarve, si dhe ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”- tha Ulaj për KALLXO.com

Për rastin ka reaguar edhe drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku.

“Mbrëmë në Shkollën “Meto Bajraktari” dy persona kanë tentuar t’i vënë zjarr objektit përmes hedhjes së lëndëve djegëse. Paraprakisht ishin thyer edhe dritaret e shkollës duke dëmtuar kësisoji pronën publike”- ka shkruar Lushaku.

Nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë kanë kërkuar që motivet e këtij akti të zbulohen.

“E dënojmë ashpër këtë akt vandal dhe kërkojmë nga organet e rendit që të gjejnë kryesit e kësaj vepre dhe që ata të marrin dënimin e merituar nga organet e sistemit gjyqësor. Drejtoria e Arsimit është në kontakt me Policinë e Kosovës, e cila është angazhuar për identifikimin e këtyre personave dhe do të na njoftojë së shpejti me rezultatet e hetimit. Mbesim të indinjuar nga ky sulm kriminal mbi objektet shkollore si institucione të zhvillimit e mësimit për më të dashurit tanë pra fëmijët” – thuhet në reagimin e Drejtorisë së Arsimit më 04.05.2024.