Flamuri i Serbisë në Beograd, nëntor 2022 Foto: Gentiana Ahmeti/ KALLXO.com

Qeveria e re e Serbisë, “riciklim i qeverisë antiperëndimore”

Futja e njerëzve të sanksionuar nga qeveria amerikane brenda kabinetit të qeverisë së re të Serbisë, nga politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës shihet si sinjal se ky shtet nuk do t’i adresojë sfidat aktuale në financa, mjedis, infrastrukturë dhe integrim në Bashkimin Europian. Ragmi Mustafi, ish- kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, e përkufizon këtë strukturë qeverisëse thjesht si riciklim të një qeverie antiperëndimore.

Ai përmend figura të njohura politike në Serbi që tashmë janë bërë pjesë e qeverisë së re e që sipas tij janë albanofob dhe të lidhur me grupe mafioze. “Ivica Daçiq ruan vazhdimësinë signifikuese me të 90-tat; Zlatibor Lonçar i ndërlidhur me grupe të famshme mafioze; figura të reja skandaloze si Nikola Selakoviq dhe Darko Glishiq të rikthyera; albanofobin dhe luftënxitësin Aleksandër Vullin; apo edhe zonjën Stojmenoviq ultra të djathtë”, përshkruan Mustafi për Kallxo.com. disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar serb.

Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës serbe ndonëse është në “Listën e Zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 është emëruar zëvendëskryeministër.

Njëjtë si Vulini, në “Listën e Zezë” amerikane është edhe Nenad Popoviq, i cili do të jetë ministër pa portofol në qeverinë e re serbe. Ky i fundit është sanksionuar për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Derisa nga Departamenti amerikan i Shtetit janë shprehur të zhgënjyer me emërimin e njerëzve të tillë, në Bashkimin Europian nuk është folur me tone të ashpra rreth kësaj çështjeje.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe ka shtuar se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Unioni Europian pret që Serbia me çfarëdo përbërje të qeverisë së re do ta demonstrojë zotimin për rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Serbia, siç ka deklaruar ai, i di mirë pritjet e Bashkimit Europian- që si shtet kandidat duhet të bëjë gjithçka për t’i plotësuar kriteret e nevojshme. Ai ka theksuar se veprimet dhe deklaratat e Vulin-it në të kaluarën kanë qenë në kundërshtim me objektivat e Serbisë kur bëhet fjalë për anëtarësim në BE.

“Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike dhe ne presim që qeveria e Serbisë, me çfarëdo përbërje të demonstrojë zotimin për rrugën drejt BE-së … Presim nga ta që të veprojnë në atë drejtim dhe secili anëtar i qeverisë të punojë sa të mundet”- ka shtuar Stano.

Lideri i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, më 02.05.2024, ka thënë prerazi se Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve” – ka theksuar ai.

Ridvan Peshkopia, profesor i shkencave politike në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, beson që Serbia renditet andej nga beson që do të përfitojë më shumë.

Sipas tij, një përzgjedhje e tillë në kabinetin qeveritar në Serbi ka dy mesazhe: së pari, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka nevojë të mbajë të lidhur koalicionin e tij politik, pasi që këto dy personazhe [Vulin e Popoviq] kanë mbështetje të konsiderueshme. Ndërkaq, mesazhi i jashtëm është se Serbia është shtet që e merr seriozisht pavarësinë e vet edhe në situata të tilla.

Ai nuk pret që Serbia do të ketë pasoja për përbërjen e qeverisë së re.

Sipas Peshkopisë, fati i Kosovës, ashtu si i gjithë rendit ndërkombëtar tani luhet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe në Tajvan dhe se sipas tij, “disa mijëra serbë në veri të Kosovës janë aktorë të papërfillshëm në këtë skenar”.

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re më 02.05.2025, pas një debati të gjatë parlamentar.

Qeveria e re do t’i ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.