Arkiv: Kolona në Morinë | Foto: Facebook

Fundjava pa kontrolle kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, Qytetarët: Jemi një komb, këto kontrolle duhen hequr përgjithmonë

Që prej 1-majit kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare. Në pikë-kalimin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për qytetarët që duan të hyjnë në territorin e Shqipërisë, raporton Top Channel.

Vendimi për kalimin e kufirit në këtë mënyrë është bërë për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të të dyja vendeve. Një gjë e tillë është mirëpritur nga udhëtarët shqiptarë nga Kosova që vizitojnë Shqipërinë.

“Tani përderisa jemi një komb dhe themi se jemi një komb e jemi shqiptarë do të duhej që të hiqeshin gjithmonë këto kontrolla se vetëm na i heqë kolonat.

“Ky është një lehtësim i madh si për Kosovën edhe për Shqipërinë”- u shprehën disa prej tyre, raporton Top Channel.

As për të hyrë në Kosovë, deri më 31 dhjetor, udhëtarët nga Shqipëria nuk do kenë nevojë të paraqesin dokumentin e identifikimi para policisë kufitare.

Zgjatja e periudhës së vendimit për kalimin pa kontrolle është mirëpritur sidomos nga shtetasit e Shqipërisë që udhëtojnë çdo ditë në Kosovë.

“Detyrimisht, jemi prej Tropojës e duhet të mos ketë kufi fare.

Udhëtojmë shpesh dhe nuk do të duhet të kishte fare kontrolle”- thanë disa prej qytetarëve.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare të Kosovës, që menaxhon me pikë kalimet me Shqipërinë, për tre ditët e para të muajit maj, në Kosovë kanë hyrë mbi 47 mijë persona e nga vendi kanë dalë po ashtu mbi 47mijë persona.

Nga 01.05.2024, ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për kalimin e kufirit pa kontrolle të pasaportave dhe letërnjoftimeve për shtetasit e dy vendeve.

Për këtë marrëveshje kishin njoftuar gjatë muajit prill ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologu i tij shqiptar, Taulant Balla.

Ata kanë bërë të ditur se me protokollin e ri, që zëvendëson të vjetrin, mundësohet lëvizja me procedura të shpejtuara gjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë/Morinë.