Rekomandimi për zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit, Foto: Facebook

Abdixhiku Nënshkruan Rekomandimin për Zvogëlimin e Pagave të Menaxhmentit të Trustit

Kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka nënshkruar një rekomandim të Komisionit për zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit.

“Sot nënshkrova rekomandimin e Komisionit për Buxhet që bën zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit për 25%, e i nivelizon ato me të Bankës Qendrore. I falënderoj gjithë anëtarët e Komisionit që ideuan dhe votuan këtë rekomandim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai është shprehur se paga publike prej 5 mijë eurove është disproporcionale me realitetin ekonomik e social në Kosovë dhe se para së gjithash paraqet mosrespekt ndaj taksapaguesve kosovarë.

“Po me kaq puna jonë s’mjafton. Prandaj e ftojmë qeverinë që të sjellë Ligjin mbi Paga me qëllim të nivelizimit të tyre në vend – për të gjithë pa përjashtim”, ka bërë thirrje Abdixhiku përmes postimit të tij.