Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të martën ka vazhduar të japë dëshminë dëshmitari i 28-të me radhë, Nebojsha Radosheviq, ish-gazetar në kohën e luftës i agjencisë shtetërore serbe të lajmeve, ‘Tanjug’.

Ai po merret në pyetje nga mbrojtja e Thaçit, Gregory W.Kehoe.

Nebojsha Radosheviq, të hënën ka deklaruar se së bashku me fotografin Vlladimir Dobriçiq i cili kishte qenë i dyshuar edhe për krime lufte në Kroaci, u ndalua në një pikë kontrolli të UÇK-së. Ata sipas prokurorisë janë mbajtur të ndaluar për 41 ditë ndërkaq janë dënuar me 60 ditë burg.

Dobriçiq ka deklaruar se ndaj tyre nuk ishte zhvilluar ndonjë gjykim, e as nuk e kishin pasur të drejtën për avokat.

Gazetari gjatë deklarimit të tij e ka pranuar se deri në vitin 2021 kishte punuar për mediumin KosovoOnline.

Megjithëse, kishte studiuar për bujqësi  për Radosheviq ishte hera e parë që shkoi të raportonte diku, kur erdhi në Kosovë për të raportuar për luftën.

“Kur të punësoi Tanjugu keni qenë reporteri i vetëm në Prishtinë, saktë?”- pyeti Keohe.

“Nuk kisha përvojë, por mësova”- tha Radosheviq.

“Ata iu punësuan si reporteri i vetëm në Prishtinë, në vend që të punësonin dikënd që të kishte përvojë në gazetari?”- pyeti Keohe.

“Po, pajtohem me ju”- deklaroi dëshmitari.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 141 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.