Kontesti për shpifje në mes të Milaim Zekës dhe nipit të Jakup Krasniqit, palët japin fjalën përfundimtare

E luan rolin e dinosaurit por e bën jeten e zvarranikut”- ishte titulli i postimit të Arian Krasniqit më 2019 që çoi në gjyq Milaim Zekën dhe nipin e Jakup Krasniqit.

E lidhur me këtë betejë juridike të iniciuar nga Milaim Zeka si paditës, në Gjykatën e Prishtinës palët dhanë fjalët përfundimtare.

Të dy palët u prezantuan personalisht pa avokatë.

Ish-deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka nënvizoi edhe njëherë se postimi në fjalë nuk ishte thjesht një shpifje por një akuzë ndaj tij.

“Shkrimi i publikuar nuk është de-facto shpifje por një akuzë shumë e rëndë duke filluar nga ajo që gjoja unë kam qenë këshilltar i ish-ministrit Bujar Dugolli, ndërkohë që unë kam qenë staf civil, drejtor për mardhënie me publikun”- tha Milaim Zeka.

Sipas tij fyerjet e bëra ndaj tij në atë shkrim, përkatësisht shprehjet “dyfytyrësh”, “i pafytyrë”, “balosh tipik – politik – mediatik”, “shpifës”, “mashtrues”, “hipokrit”, “dinosaur”, “zvarranik”, janë të pranueshme për të pasi paraqesin perceptimin e dikujt, madje ai ka thënë se është nderë kur njerëzit sipas tij ‘të pafytyrë’ shkruajnë gjëra të tilla.

“Por të kalojmë tek akuza kur ky pretendon në shkrimin e tij se gjoja unë duke përdorur autoritetin tim kam lëshuar shtëpinë me qera ministrisë duke pretenduar se shtëpia është e imja, dhe më nxjerrë në opinion si uzurpator. Do të thotë bëhet palë me njerëz të cilët e kanë luajtur këtë valle, ose që dihet se ekzistojnë dokumentet në arkivat e gjykatës, që nipi i pronarit të asaj shtëpie Marko Simunoviq më 16 qershor 1999 pasi që ka hyrë NATO-ja në Kosovë në Breg të Diellit i ka prerë tre fëmijë në fyt. Kjo është ajo që më ka vrarë moralisht e shpirtërisht edhe e ka dëmtu reputacionin tim, edhe familjarisht”- shpjegoi tutje Milaim Zeka.

Ai tha se arsyeja që këmbngulë në dënimin e të paditurit është se ky njeri ka qenë zyrtar i lartë i ministrisë, është njeri publik dhe e treta sipas tij shkrues të artikujve të tillë ia kanë shkatërruar familjen e imazhin një numri të madh të gjykatësve, deputetëve e gazetarëve.

Nipi i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi e cilësoi postimin e tij kundërpërgjigje në reagim kundër debatit nga vetë pala paditëse.

“Një ditë para postimit zotëri Zeka pa asnjë argument, pa fakte e shpalli Jakup Krasniqin shef të zyrës së punësimit brenda Nismës Socialdemokrate apo siç paditësi e ka quajtur Byrosë Politike duke aluduar në sistemin autoritar komunist që për qëllim po ashtu kishte denigrimin e Nimës si parti e në veçanti zotëriut Jakup Krasniqi”– tha në fjalën e tij Arian Krasniqi.

Milaim Zeka e pyeti Arian Krasniqin nëse ai ishte personi i autorizuar të fliste në emër të Nismës apo Jakup Krasniqit.

Aty Arian Krasniqi tha që nuk kishte në fakt autorizim të fliste në emër të partisë apo axhës së tij, por riktheksoi se debati ka ardhur si rrjedhojë e reagimit që i ka bërë Milaim Zekës.

Mëtutje Milim Zeka tha se Arian Krasniqi e ka fyer sepse ka qenë pjesë e një ekipi që kanë pasur tjetër strategji të denigrimit të të githë kundërshtarëve politikë ose njerëzve që kanë menduar ndryshe.

“Fyerjet që i kanë bërë janë në ndërgjegjen e çdo njeriu, unë me e pasë fy Jakup Krasiqin them se e kisha fyer babain tim” – u shpreh Milaim Zeka.

E akuzave për fyerje iu përgjigj Arian Krasniqi duke aluduar se për fyerje njihet Milaim Zeka.

“Kush fyen, denigron e ofendon në opinion dihet. Strategji për me fy e ofendu nuk kemi pasur asnjëherë” – tha mes të tjerash Arian Krasniqi.

Pas këtij shkëmbimi gjyqtari i rastit Shefki Berisha konstatoi se shqyrtimi i çështjes juridike ka përfunduar.

Sipas përcaktimeve procedurale aktgjykimi për këtë rast do të nxirret më së largu pas 15 ditësh.

Çka ka kërkuar Milaim Zeka përmes padisë?

Në padinë e ushtruar në maj të vitit 2019, Milaim Zeka ka kërkuar që postimi i Arian Krasniqit me titull “E luan rolin e dinosaurit po e bënë jetën e zvarranikut”, të vërtetohet nga Gjykata e Prishtinës se përbën shpifje kundër paditësit; të detyrohet që autori i tij të kërkojë publikisht falje dhe në të njëjtën mënyrë të mos përsërisë shpifje kundër paditësit; e gjithashtu edhe të paguajë shumën e kompensimit prej 1,000 euro.

Si është përgjigjur në padi Arian Krasniqi?

Arian Krasniqi në përgjigjen e tij e ka arsyetuar shkrimin me lirinë e shprehjes, ka thënë se nuk ka vepruar me qëllim të shpifjes dhe fyerjes, kurse të dhënat dhe informatat e shkruara në postimin e tij kanë qenë të njohura për publikun ai ka kërkuar të hidhet poshtë padia. Sipas përgjigjes në padi, paditësit nuk i është shkaktuar asnjë pasojë, dëm material dhe jo material.

Statusi i plotë i Arian Krasniqit: 

E luan rolin e Dinosaurit por e ben jeten e zvarranikut.
Milaim Zeka ne kohen sa ka qene keshilltar i ish Ministrit te Tregtise dhe Industrise z. Bujar Dugolli, ka shfrytezuar autoritetin e vet, dhe kunderligjshem duke shperfillur Ligjin per Konflikt Interesi ka arritur qe ta leshoj me qira shtepine ne te cilen ai ka pretenduar qe eshte e tija. Pra ate kohe shtepine ia ka leshuar APIK’ut (tash KIESA) me qira duke perfituar nga pozicioni i tij. E qe ne fakt shtepia ne te cilen ai e ka derguar kete Agjencion ka qene ne emer te nje serbi, kjo i bie qe pala e trete ka perfituar nga presioni i tij, pra shkelje te dyfisht. Duke qene i tille ai del zhveshur dyftyresh ose i paftyre.
Tendeca e tij qe t’i jep kahje krejt negative subjektit NismaSocialdemokrate, e ben ate te tregoj brymosjen dhe veprimtarine e tij prej nje shantazhuesi, spiuni dhe si rrjedhoje te nje baloshi tipik politik e mediatik. Meqe, trokitjet ne krejt dyert e subjekteve tjera politike, nuk i ofruan strofull, krejt natyrshem duke e parakualifikuar si te papershtatshem ne organizatat e tyre. E NismaSocialdemokrate perkunder krejt bindjeve e qendrimeve te kunderta qe Milaim Zeka ka karrshi nesh, tregoj zemergjeresi qe ai te futej brenda listes tone. Ne keto rrethana ai se paku do duhej qe njeren ftyre ta mbante per vehte e jo ta synonte se shituri qe me shpifje te goditet zemergjersia e treguar me te. Jo qe pritet ky veprim nga ai, por do duhej qe se paku ta frenonte veten e mos te qprallohej ne kete deregje. E per te qene krejt paradoksale, ai keto shpifja i thote pikerisht ne kohen kur po perballet me gjyqin per mashtrimin me viza te mbi 900 hallegjinjeve te vendit tone, natyrshem duke u shperfaqur eskpert i krijimit te byrove per mashtrim. Hipokrizia e tij fyen kufijt e cdo niveli te intelegjences.
Dinosauri i rrjeteve sociale e zvarraniku i jetes reale, po synon te rreshqet ne nje tjeter teren, provuar e ushtruar kudo ne targetet e tij te mundshme por tashme tejet te kufizuara, te mbetura vetem brenda llojit. Ne fakt po deshiron qe me kete “devotshmeri” te te deshmuarit e vepruarit, ta fut trupin atje ku e ka edhe koken.

Statusi i plotë i Milaim Zekës:

Rreth punesimeve te NISMES

Qysh ne fillim, fill pas perfundimit te zgjedhjeve, u formu nje Zyre punesimi, ku shef i kesaje zyre i zgjodhe Jakup Krasniqi. Çdo CV per punesim do te kalonte neper kete zyre te Byros Politike, tamam sikurse ne kohen e shokut Enver.
Kishte edhe raste te perjashtimit te punetoreve teper te sukseshem, siç ishte rasti me Dhuraten, bash vajza e dajes te ish ministrit Bajram Hasani. Babai i Dhurates ishte aktivisti me i njohur i Nismes per Gjilan, ama kjo nuk kishte rendesi. Me rendesi ishte qe Jakupi, Bilalli, Fatmiri dhe Endriti t’i rehatonin njerezit e tyre permes listave te punesimit.
Krejte kjo ishte semundeja nxhitese nga PDK-ja, po doren ne zemer, partia nane e Kadri Veselit puneson aktivist te partise, ndersa keta vetem familjar. Keshtu kane bere edhe ne zyren e Avokatit te Popullit, edhe ne Vala e PTK. Njehere i premtuan Gjevdet Smakiqit per nje post, pastaj e derguan nje aktivist nga Nisma e Skenderajte, njeri i paditur deri te Zoti per ate poste ku e kane derguar.
A mbahet Partia me aktivist te cilet kane vrapu 24 ore, a shperblimin ua bene familjareve te tu? Kjo ndodhe vetem tek ne…