Dëshmitari i mbrojtur: Në vitin 1998 nuk ka pasur bashkërendim mes Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe zonave

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale sot ka dëshmuar edhe një dëshmitar i mbrojtur.

I koduar me shifrën 4255, dëshmitari kishte qenë anëtar i LDK-së dhe gjatë luftës komandant i UÇK-së.

Pjesa më e madhe e dëshmisë së tij u dha në seancë të mbyllur për publikun.

Në seancë të hapur, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Gregory Kehoe, dëshmitari ka lavdëruar aktivitetin e Hashim Thaçit për, siç tha ai, të mirën e Kosovës.

Dëshmitari tha se pas luftës Thaçi ka punuar krah për krah me të dhe pjesëtarë të LDK-së për të mirën e Kosovës.

Ai ka përmendur kohën e bashkëpunimit të Thaçit me liderin tashmë të ndjerë të LDK-së, Ibrahim Rugova, për formimin e qeverisë së parë pas zgjedhjeve demokratike. Sipas tij, Hashim Thaçi ishte tërhequr dhe kryeministër ishte zgjedhur Bajram Rexhepi.

Po ashtu, dëshmitari përmendi formimin e koalicionit qeverisës kur Thaçi ndonëse kishte fituar ia kishte dhënë positën kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Isa Mustafa, e vetë ishte bërë zëvendës i tij, si dhe ditën kur Thaçi u zgjodh president i Kosovës “e LDK-ja votoi në favor të tij”.

Seanca ka vazhduar me parashtrimn e pyetjeve dëshmitarit nga avokat i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Emmerson lexoi një pjesë nga deklarata e dhënë nga dëshmitari për ZPS-në dhe atë kur ishte pyetur për periudhën 1998-1999 nëse e kishte njohur Kadri Veselin dhe ishte përgjigjur: “Atë s’e ka njoftë askush” dhe nëse gjatë konfliktit kishte dëgjuar ndonjëherë për të, e dëshmitari ishte përgjigjur: “Jo, asnjëherë”.

Sipas dëshmitarit, këto përgjigje janë të sakta dhe të vërteta.

Tutje, dëshmitari e pranoi se shumë deklarime dhe njoftime nga ana e UÇK-së bëheshin për prezantim të ushtrisë sa më të organizuar para popullit edhe pse, sipas tij, nuk qëndronte një gjë e tillë.

“Një ndër detyrat kryesore ishte edhe ruajtja e moralit të lartë” – tha dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi që UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të mirëfilltë.

Tutje, dëshmitari deklaroi se në vitin 1998, Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte efekt mbi UÇK-në dhe as bashkërendim mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave.

“Zonën e kanë kontrolluar ushtarët në rrugën kryesore, i kemi pasur ushtarët, kanë vëzhguar, kanë komunikuar me qytetarët, i kanë ndihmuar. Kjo ka qenë” – tha dëshmitari.

Tutje, Emmerson e pyeti dëshmitarin lidhur me një deklaratë ku ishte marrë vendim për unifikimin e qeverisë në ekzil dhe UÇK-së.

Dëshmitari lidhur më këtë tha se Thaçin e Rexhep Selimin i ka njohur, ndërsa Kadri Veselin asnjëherë.

“Hashim Thaçin e kam njohur gjatë luftës, kemi qenë në institucione bashkë. Rexhep Selimin e njoh para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës. Sokol Bashotën gjithashtu. Adem Grabovci ka pasur funksione publike. Të tjerët asnjë nuk i njoh. Kadri Veselin s’e kam njohur kurrë, deri pas luftës kur ka marrë funksione” – deklaroi dëshmitari.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.